Dyshohet se është vrarë e groposur bashkë me “Koçolen”, vëllai i Sulovarit tregon takimin e fundit me të: E mori një shok në telefon, dëgjuam llafe se mund të ishin në Vrinë

Vëllai i Fatmir Sulovarit alias Fatmir Krasniqit, një nga 46-vjeçarët e zhdukur pa gjurmë në Sarandë, ka mohuar që familja e tij të këtë konflikte.

Pasi u mblodhën para Drejtorisë së Policisë së Shtetit, një përfaqësi e familjarëve të dy 46-vjeçarëve, u takuan me drejtues të këtij institucioni. Gëzim Krasniqi tha për mediat se vëllai i tij nuk ka pasur asnjë konflikt dhe se me të zhdukurin tjetër Leonard Thodhori, i njohur si ‘Koçolja’, ishin të njohur, por jo miq.

“Duam që të gjenden trupat dhe t’i çojmë në shtëpi. Policia na tha; do nisim shumë shpejt kërkimet. Nuk më dhanë shpresë. Më thanë se jemi në rrugë, po vijojmë hetimet. Ne ia kemi lënë në dorë Policisë së Shtetit. Jam vëllai i Fatmirit. Besoj u sqaruam me policinë. Takimi im me vëllain ishte në datën 6. Ishte takim normal. E mori një shok në telefon. S’ka pasur probleme.. Ne s’kemi pasur probleme deri në këtë pikë. S’kemi asnjë dyshim. Leonardin e ishte të njohur. Ata kanë qenë të njohur, jo shok. Unë vetë si Gëzim s’e kam njohur Leonardin. S’e di se për çfarë toke bëhet fjalë. Dëgjuam llafe njerëzisht se ata mund të ishin në Vrinë”, tha ai.