“Norwegian Star Cruise” në Sarandë, Rama: Mbi 1 milionë vizitorë të huaj deri në mars
“Norwegian Star Cruise” me rreth 2200 turistë në bord, kryesisht amerikanë, ka mbërritur sot në Sarandë.
Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se deri në mars, Shqipëria ka mikpritur mbi 1 milion vizitorë të huaj, plot 59% më shumë se në vitin 2022.
Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar gjatë dymujorit të parë të këtij viti, shënoi rritje me 73.7 %, duke arritur 686.536, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Sipas INSTAT, në periudhën janar-shkurt 2023, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 666 314 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore/Paqësori, përkatësisht me 13 301 dhe 2 671 shtetas.
Raporti i INSTAT-it për turizmin tregon se, 7.5 milionë turistë të huaj vizituan vendin tonë gjatë vitit 2022, duke i besuar Shqipërisë pushimet e tyre jo vetëm gjatë sezonit veror, por edhe përgjatë stinëve të tjera të vitit.
Janë 1.9 milionë më shumë se, viti 2021 dhe 18 % më shumë se viti 2019, që deri tani mbante rekordin e shifrave.