Bashkëjetesa fetare, banorët e fshatit më të madh në Delvinë, flasin për besimin
Fshati Bajkaj në Delvinë është një nga shembujt e mirëfilltë të bashkëjetesës fetare në vendin tonë. Si një nga fshatrat më të mëdhenj të këtij qyteti ajo popullohet me rreth 1000 banorë, të ndarë kryesisht në dy besime fetare, myslimanë dhe ortodoksë.
Ata pohojnë se harmonia mes tyre ka ekzistuar që në fillimet e popullimit të këtij fshati. Kjo harmoni është trashëguar ndër breza tek ata pavarësisht se prejardhjen e kanë të gjithë nga qytete e fshatra të ndryshëm para se të banonin aty.
“Ne hamë e pimë bashkë me myslimanë e me të krishterë. Unë kam shokë e miq sa të duash. Ne nuk kemi armiqësi, jo je çam, jo kaur, ne jemi si puna e gishtërinjve të gjithë njëlloj”, ka thënë një banorë.
Në vitet e fundit në këtë fshat janë ndërtuar edhe institucionet fetare, përkatësisht një kishë dhe një xhami. Banorët pohojnë se u bashkëngjiten fqinjëve të tyre gjatë festave fetare pavarësisht besimit që u përkasin. Besimi për ata nuk është bërë pengesë as për martesat midis personave që besojnë në fe të ndryshme.
“Bëj këto të pashkës, bëj çdo gjë dhe për Bajram dhe për Ramazan, se kemi dhe prindërit që disa janë kaur e disa mysliman”,është shprehur një tjetër banore.
Për banorët e këtij fshati nuk ka rëndësi nëse është Pashkë apo Bajram, ata mblidhen të gjithë së bashku edhe festojnë.