Tragjedi në Greqi/ Përplasen kokë më kokë treni i pasagjerëve me trenin e mallrave, vdesin 32 persona
Një tragjedi ka ndodhur në Larisa të Greqisë ku pas përplasjes së dy trenave kanë mbetur të vdekur 32 persona dhe janë plagosur 85 të tjerë. Mes të plagosurve ka pasur edhe fëmijë të moshave 6-7 vjeç dhe 53 prej tyre po marrin ndihmën mjekësore në spital, ndërsa 32 të tjerë kanë shpëtuar pa dëmtime të shumta.
Sipas të dhënave të publikuara nga mediat greke, aksidenti hekurudhor ka ndodhur në hyrje të luginës së Tempes, ku një tren pasagjerësh që udhëtonte midis Athinës dhe Selanikut me 350 pasagjerë në bord u përplas me një tren mallrash pranë qytetit të Larisës. Mësohet se përplasja ka ndodhur rreth orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme.
Zjarrfikësit janë përqendruar aktualisht në dy vagonët e parë të trenit të pasagjerëve të cilët janë përmbysur dhe nxjerrja e tyre është edhe më e vështirë.
Dhjetëra oficerë policie dhe 150 zjarrfikës morën pjesë në operacionet e shpëtimit. Rreth tridhjetë autoambulanca ishin gjithashtu në vend. Dy spitale në zonën e Larisës janë hapur për të akomoduar të plagosurit e shumtë, 25 prej të cilëve thuhet se janë në gjendje të rëndë.
“Po vazhdojmë kërkimet në kushte shumë të vështira për shkak të ashpërsisë së përplasjes midis dy autokolonave,” shpjegoi zëdhënësi i zjarrfikësve Vassilis Varthakoyiannis.
“Kemi përjetuar diçka shumë tronditëse. Unë nuk jam i lënduar, por jam njollosur me gjakun e personave të tjerë që u plagosën pranë meje”, tha një nga pasagjerët e intervistuar nga gazeta Protothema.
Guvernatori i rajonit, Konstantinos Agorastor, nënvizoi se përplasja mes dy trenave ishte “shumë e fortë”, aq sa dy vagonët e parë të njërit prej trenave u shkatërruan “pothuajse plotësisht”.