Shanse për rritjen e pranisë së turistëve kinez në Sarandë
Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma priti ambasadorin e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë, Z. Zhou Ding.
Në takim ishin edhe Kryetari i Këshillit Bashkiak, Asaf Stroka, Nënkryetari i Bashkisë, Romeo Çakuli, si dhe përfaqësues nga fusha e biznesit turistik.
Kryebashkiaku Gurma prezantoi para diplomatit kinez profilin e spikatur turistik të qytetit të Sarandës, ndërkohë që shprehu vullnet për bashkëpunim ndërinstitucional për të shtuar praninë e turistëve kinezë, si gjatë verës edhe në shkurt e tetor. Duke sjellë në bisedë fjalën e urtë kineze se “Rruga e gjatë nis me një hap”, Kryetari Gurma shprehu vullnet për bashkëpunim, që nis me këtë takim të parë, por jo të fundit.
Ambasadori Zhou Ding nga ana e vet, i është referuar miqësisë së gjatë shqiptaro-kineze, duke e quajtur atë një bazament të fortë për bashkëpunim në të ardhmen. Ai tha se jo vetëm investimet në infrastrukturë e kanë bërë Shqipërinë e Sarandën më të preferuar për turistin kinez, por edhe heqja e vizave dhe nënshkrimi së fundmi i Memorandumit të Bashkëpunimit në Turizëm, krijojnë lehtësira lëvizjeje në të dy vendet.
“Ne kemi nevojë ta promovojmë miqësinë tonë të hershme- tha ai- përmes turizmit, pasi ajo i tejkalon ideologjitë dhe politikat”. Nga opeeatorët e pranishëm në takim u sugjerua që të ofrohen guida të posaçme turistike që i përshtaten tipoligjidë dhe interesave specifike të turistit kinez për historinë, për arkeologjinë, për memorjen ku gjenden gjurmët e miqësisë mes dy popujve, të cilat është e nevojshme të përbëjnë intinerare guidash.
Ambasadori kinez tha se pjesëmarrja dhe promovimi i Sarandës në Panairet e Kinës, që organizohen çdo vit në vendet e Ballkanit, është një tjetër mundësi për të shtuar praninë dhe prurjen turistike kineze në Sarandën, që është e famshme për turizëm.