Le të të marr e të të mbajë ngrohtë në krahët e vet ky qytet, të cilit i dhe jetën, shpirtin!
Nga Josif Papagjoni
U nda nga jeta Enveri Isufi….
Një nga njerëzit më me “pushtet” shpirtëror në qytetin e Sarandës, poeti, humoristi, drejtuesi dhe shkrimtari Enver Isufi, 82 vjeç, pas një sëmundje të gjatë e të mundimshme, sot na la. Ishte figurë eminente e qytetit tonë. Mendja e tij e mprehtë, autoriteti moral dhe humori e zbukuronin personalitetin e tij të veçantë dhe imponues.
Me Enverin qeshje përherë. E kishte në buzë humorin, ironinë. Por po aq serioz dhe i përgjegjshëm ishte në punë e krijimtari, një nga intelektualët më në zë që qyteti ka pasur. Humori i tij nuk ishte banal, ai i largonte fjalët vulgare, pa brumë. Enver Isufi ishte një poet në shpirt, çka e shfaqi edhe në vodëvilin e tij të parë muzikor “Ditë plot diell” në vitin 1970.
Pas saj erdhën tri komeditë e tjera muzikore të tij, që ia rritën pretendimet artistike trupës së estradës: “Me plot dëshirë”, “Alarm në postkomandë” dhe “Flokë dëbore në prill”.
Pranues siç ai kishte qenë përherë, teksa bisedonim e kujtonim gjëra të bukura nga estrada profesioniste e Sarandës, ku ai qe “kambanë kryesore”, Enveri po më thoshte me një modesti prekëse: “Unë s’bëra gjë tjetër veçse ndoqa prirjen e natyrshme të trupës dhe regjisorit të saj Thoma Milait; dhashë ndihmesën time si dhe gjithë përgjegjësitë e mia. Sigurisht pa frymëzimin që ajo më dha, nuk do të kisha bërë gjë…”
Po pse e kish lënë poezinë dhe Enveri shkoi pjerrinës së humorit që, herë-herë, ishte i rrezikshëm, thyeje kokën? “Po ja, na tregonte ai, me estradën kam pasur kontakte qysh kur mbarova studimet universitare. Bëra një “aventurë” me amatorët në Delvinë. Shfaqjen e sollëm në Sarandë. Merrte pjesë edhe Theofil Haxhijani, i cili ishte elektricist në Delvinë. Unë shkrova një kuplet për të, “Shoku Thanas, ku je mor gaz”. E luajti Throfil Haxhijani. Pati shumë sukses në Sarandë. E pa dhe Thoma Milaj dhe u entusiazmua nga loja e Theofilit.”
Enveri, ai që nuk reshte dikur së rrëfyeri bëma komike, iku ashtu i vetëdijshëm, i thjeshtë, i përkorë dhe guximtar përballë vdekjes. Vitet e fundit ankohej nga diabeti, ankohej nga sytë, ankohej nga veshkat… Eeeee, si iknin vitet dhe si ndryshonin njerëzit. Shumë keqardhje kam për mikun tim dhe të shumë e shumë sarandiotëve e delvinjotëve, Enver Isufin; për gazetarin, nëpunësin dhe shkrimtarin e shquar të skenës. Ishte një burrë i gjatë, i hijshëm, me besim të madh në vete. Qenë të pafunda batutat e tij të zgjuara. Mendja e tij ishte e mprehtë si teh brisku, ndërsa shpirtin e kishte të butë, poetik, si të një djaloshi. Dinte të vlerësonte, dinte të respektonte, dinte të dëgjonte. Një qytetar dhe intelektual që i dha dinjitet qytetit. Edhe pse humorin e kishte në majë të buzës, ishte nga njerëzit më seriozë, më të përkushtuar e më autoritarë…
U prehsh në paqe Enver!
Dua të të përcjellë në amëshim me vargjet e tua plot ashk:
Ja Saranda shkallë, shkallë,
Det e qiell kaltërsi,
Pasqyrohet nëpër valë,
Madhështor qyteti i ri…
Le të të marr e të të mbajë ngrohtë në krahët e vet ky qytet, të cilit i dhe jetën, shpirtin!