Delvinë, çmontohen disa kamera të kundërligjshme

Policia po vijon zbatimin e planit operacional policor, mbarëkombëtar, të koduar “Fijet”, në disa qarqe të vendit.

Policia ka çmontuar dhe sekuestruar disa kamera të tjera që ishin vendosur në kundërshtim me ligjin, në disa qarqe të vendit, si dhe janë iniciuar hetime të thelluara për disa shtetas, për veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”.

Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se, “Në qarkun Vlorë janë sekuestruar 10 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin, në Vlorë dhe në Delvinë. Në hetim për ndërhyrje të padrejta në jetën private, 4 shtetas. Deri tani, në këtë qark, janë çmontuar në total 26 kamera.

Vijon puna hetimore, në bashkëpunim me prokuroritë respektive, për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit të kamerave të vendosura në kundërshtim me ligjin.