Çatitë me pllaka guri, rikthehen elementët karakteristikë në shtëpitë gjirokastrite
Çatitë karakteristike me pllaka guri janë ndër elementët simbolikë të qytetit të Gjirokastrës. Së fundi vihet re një rritje e interesimit, kryesisht nga bizneset turistike, për mbulimin e godinave muzeale me këtë lloj çatie karakteristike.
I njohur si qyteti i gurtë, Gjirokastra, ka veçanti mbulimin e shtëpive dhe komplekseve muzeale me çati me pllaka guri. Sensibilizimi për mbrojtjen e vlerave karakteristike si dhe zhvillimi i turizmit po rikthejnë traditën e ndërtimit të çative të gurta.
Shahin Kotroçi, i cili prej 30 vitesh punon si gurgdhendës shprehet se ka një rritje të interesimit për çatitë me pllaka guri, të cilat i japin hijeshi edhe ndërtimeve të reja.
“Është shumë emocion dhe unë e kam pasion të madh këtë. Unë punën e kam të shenjtë dhe tradita e Gjirokastrës kështu është e vërtetë, që të jetë me ndërtimin e gurit, drurit dhe hekurit”, thotë Shahin Kotroçi, mjeshtër gurgdhendës.
Për mjeshtrit gurskalitës, ndërtimi i çative karakteristike kërkon durim dhe profesionalizëm megjithatë të rinjtë nuk duhet ta lënë të harrohet këtë zanat të traditës gjirokastrite.
“Ka punë. Ai që është zanatçi e ka një çikë më të thjeshtë, më të lehtë. Ka ustallarë këtu plot, që kanë ngelur, tani një çikë të moshuar e kam fjalën që kanë ngelur edhe e kanë një çikë më të lehtë ata. Ndërsa të rinjtë, ka të rinj që e kanë shumë qejf dhe afrohen pranë nesh por them se me kalimin e kohës do rritet kjo punë e ustait të çative”, shprehet Kotroçi.
Arkitektura e veçantë dhe tradita ndërtimore e qytetit të Gjirokastrës janë vlera që tërheqin interesimin në rritje të turistëve vendas dhe të huaj.