Kreu i komunitetit shqiptar në Selanik: Grekët hapën dyert e shtëpive për ne, s’mund të jemi bukëshkalë
Luan Zyka, kreu i komunitetit shqiptar në Selanik ka reaguar në lidhje me një sondazh që tregon se grekët janë populli që diskriminojnë më shumë shqiptarët.
Ai shkruan se në Greqi emigrantët shqiptarë përbëjnë afro 5% të popullsisë dhe sa vijnë dhe bëhen më shumë një faktor, jo vetëm në sektorin e punës por edhe në jetën kulturore, shoqërore dhe politike të Greqisë.
“Ne, si popull mund të kemi shumë mëkate, dhe konkretisht ne si emigrantë kemi dobësitë tona të organizimit, të përfaqësimit dhe të kërkimit të të drejtave tona në shoqërinë greke, ku për mjaft probleme ligjore dhe admnistrative që ne ndeshim, nuk janë përgjegjës vetëm shteti dhe administrata greke, por edhe ne si emigrantë, ashtu siç është edhe shteti ynë”, shkruan ai.
Statusi i plotë
SHQIPTARËT NUK JANË BUKËSHKALË
e Komunitetit Shqiptar të Selanikut
Lidhur me botimin në gazetën «Tema», të datës 24 dhjetor 2022, të shkrimit me titull «Sondazhi: Cili është kombi që diskriminon më shumë shqiptarët»?, Komuniteti Shqiptar i Selanikut deklaron si më poshtë vijon:
Në kohën e tashme të globalizimit dhe të emigrimeve masive të njerëzve drejt vendeve të zhvilluara, dhe për më tepër kur pothuajse gjysma e popullsisë shqiptare ka emigruar nga vendi amë, është anakronike të kërkosh të keqen tek të tjerët dhe të bësh viktimizimin e kombit tënd.
Sondazhe të tilla, dhe veçanërisht kur metastazat e luftës i kemi të zgjatura deri në Kosovë, nuk i shërbejnë veçse gjallimit të përçmimit dhe urrejtjes midis popujve me pasoja që të gjithë popujt e Europës i kanë akoma në kujtesën e tyre të dhimbshme.
Në Greqi jetojnë e punojnë pothuajse 10 % e popullsisë shqiptare të emigruar këto 30 vjetët e fundit nga Shqipëria dhe, ndërsa statuti i tyre ligjor sa vjen e përmirësohet, por mikpritja e popullit grek ndaj nesh ështe epike dhe përben një fakt historik dhe vlerë themelore pozitive për të tashmen dhe të ardhmen e marrëdhënieve midis Greqisë dhe Shqipërisë.
Në Greqi shqiptarët emigrantë përbëjnë afro 5 % të popullsisë së Greqisë, dhe sa vjen e më shumë ata po bëhen një faktor jo vetëm në sektorin e punës por edhe në jetën kulturore, shoqërore, dhe politike të Greqisë.
Bëjmë pyetjen: – Mbi çfarë kriteresh objektive dhe shkencore janë nxjerrë rezultatet e sondazheve të bëra nga Barometri në Euronews Albania, si pasojë e të cilave konkludohet se populli europian më diskriminues ndaj shqiptarëve është populli grek ?!.
Bëjmë pyetjen: – A e dini se një nga Kodet e lashta Morale të shqiptarëve është mirënjohja, dhe ne mosmirënjohësin e cilësojmë me fjalën e rëndë “bukëshkalë” ?! Sepse, kështu e nxjerr ky sondazh jo serioz karakterin e popullit shqiptar.
Ne, si popull mund të kemi shumë mëkate, dhe konkretisht ne si emigrantë kemi dobësitë tona të organizimit, të përfaqsimit dhe të kërkimit të të drejtave tona në shoqërinë greke, ku për mjaft probleme ligjore dhe admnistrative që ne ndeshim, nuk janë përgjegjës vetëm shteti dhe administrata greke, por edhe ne si emigrantë, ashtu siç është edhe shteti ynë.
Por, nga ana tjetër, ishte dhe është mikpritja e popullit grek, shpesh në tejkalim dhe në mospërfillje të ligjeve të vetë shtetit grek, kur ata hapën dyert e shtëpive, spitalet, shkollat etj, duke zbutur vështirsitë e jetës së emigrantëve shqiptarë në Greqi.
Kjo është historia e tashme dhe reale e bashkëjetesës së shqiptarëve dhe grekëve, e cila përbën një substrat ushqyes për politika të reja për qeveritë e të dy vendeve.
Ne, jemi të bindur se ky realitet ka edhe do ketë një peshë të madhe pozitive në vlerësimin e historisë komplekse shumëshekullore të marrëdhënieve midis dy popujve më të lashtë të Ballkanit.
Për këto arsye ne, Komuniteti Shqiptar i Selanikut, deklarojmë se ky sondazh nuk shpreh realitetin dhe nuk përfaqëson mendimin tonë.
Përkundrazi, indinjon ndjenjat tona, përcjell komplekset e inferioritetit dhe i fryn mllefeve midis popujve, dhe botimi i tij në shtyp përveçse ul nivelin e mediave që e promovojnë, nuk është veçse dëmprurës.
Këshilli Drejtues i Komunitetit Shqiptar të Selanikut