Sarandë, projektohet suksesi për sezonin veror 2023
Dëgjesa ndoshta më e rëndësishme është konsideruar ajo që Bashkia e Sarandës organizoi me protagonistë të sezonit turistik në Sarandë e Ksamil: hotelierë, operatorë, udhërrëfyes etj.
Ishte një vështrim mbi pikat e forta të sezonit turistik 2022 dhe reflektim mbi problematikat e hasura e sfidat që qëndrojnë përpara për 2023, nën moton “Suksesi i sezonit të ri turistik nis sot”.
Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma u ndal në disa prej veçorive të vitit 2022, si: qasja e re për pastrimin, të cilësuar alfa dhe omega e sezonit, standarti i ri shërbimeve që u ofruan, infrastruktura e përmirësuar në funksion të turizmit, bërja e turizmit të integruar me fqinjët. Orientimin e qartë drejt tregut perëndimor të turizmit të Sarandës këtë verë, deputetja e zonës Anila Denaj e quajti si një arritje të rëndësishme, të lexueshme në gjuhët e huaja që u dëgjuan në shetitore e kudo.
Ndërkaq, ajo i bëri apel bizneseve të pranishme për t’i bërë akses shkollës profesionale të turizmit, si një sfidë e të nesërmes, që është nesër. Për Sarandën deputeti Blendi Klosi tha se është perla e Mesdheut e në këtë kontekst ai ka përligjur që biznesmenët e operatorët e këtij qyteti janë kërkues ndaj vetes dhe ndaj mënyrës si qeveriset, nga qendra në bazë.
“Jeni ju që e kërkoni si nevojë edhe aeroportin e Sarandës, por në një kuptim jeni po ju që e bëni atë, pasi pa hotelet tuaja, ai nuk do të duhej”, u tha biznesmenëve sarandiotë zoti Klosi. Ndërkohë, ai ka kërkuar të bëhet kujdes me ndotjen muzikore, pasi muzikë nate pa limit nuk gjen as në Mikono në Greqi apo kudo në Itali. Bashkisç dhe Këshillit Bashkiak, tha ai, i mbetet të përcaktojë zona muzike 24 orë. Duke folur për portin e jahteve dhe çdo investim që do buxhetohet për 2023, zoti Klosi kërkoi mbështetjen e Bashkisë nga biznesi.
Biznesmenët e pranishëm, që e morën fjalën në takim, shfaqën mendime të dobishme për sezonin 2023 dhe të vlefshme për projektbuxhetin që është duke u hartuar. Ndër to, më të rëndësishme ishte rritja e rolit të agjencive turistike në fuksionimin e hotelerisë, si çelës edhe për një sezon të zgjatur, mënjanimi i përsëtitjes së skanimit në aeroporte e portet shqiptare.
Po kështu, ata u ndalën në nevojën për të kuruar qytetin deri te trotuaret e rrugë sekondare e sidomos për të menduar zgjidhje që zbusin krizën e parkimit apo fluksin e trafikut.
U kërkua gjithashtu një mbështetetje më e mirë për biznesin e turizmit detar. Nga vetë operatorët u kërkua që të distancohen nga rastet e çmimeve abuzive në shërbimin taksi, apo në hoteleri e në plazhe. U konsiderua nevojë e zhvillimit që të prodhohen e ofrohen harta turistike të përditësuara për Sarandën e Ksamilin dhe të futet si risi edhe në Sarandë qarkullimi i autobusit të kuq turistik, të munguar e të kërkuar nga turistët e huaj.
Nisur nga pjesëmarrja e gjerë në takimin me përfaqësues të bizneseve, që operojnë në fushën e turizmit në Sarandë e Ksamil, si dhe nga përsfshirja në diskutimin e problematikave që kërkojnë zgjidhje, mund të thuhet me bindje se u hodhën piketat e një sezoni të sukseshëm në vijim, pasi sugjerimet e opinionet u mbajtën shënim për t’u mbajtur në konsideratë e reflektuar në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.