Kumbaro takim me përfaqësi të Shoqatës “Unioni Turistik Shqiptar”: 6,4 milionë turistë të huaj nga janari në shtator

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh sot se shifrat flasin për 6,4 milionë turistë të huaj nga janari deri në shtator.

Deklarata e ministres Kumbaro erdhi pas takimit me një përfaqësi të Shoqatës “Unioni Turistik Shqiptar”.

Duke iu referuar shifrave të raportuara prej tyre, Kumbaro theksoi se numri i turistëve i kalon shifrat e vitit 2019 që ishin dhe shifrat më të larta të regjistruara ndonjëherë.

Këto të dhëna, sipas ministres, janë konfirmuara edhe nga vetë operatorët turistikë dhe strukturat hoteleriere që kanë pasur një sezon turistik më të gjatë dhe një sezon veror më të mbarë.

“Janë pikërisht ata që kanë bërë një punë fantastike në mikpritjen e vizitorëve duke treguar një standard shumë më të lartë organizimi dhe përfaqësimi, ndaj pikërisht mblidhemi vazhdimisht për të mësimet e një sezoni e njëherazi për të përveshur mëngët për organizimin e sezonit të ardhshëm dhe promovimit ndërkombëtar të ofertës shqiptare”, shkroi Kumbaro në rrjetet sociale.