Aplikimi për parcela plazhi, procesi hapet më 1 nëntor
Procesi i aplikimit për subjektet që janë të interesuara të marrin parcela plazhi në menaxhim të përkohshëm, hapet më 1 nëntor.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro drejtoi sot takimin e Komitetit Ndërinstitucional të Menaxhimit të Sezonit Turistik për vitin e ardhshëm 2023.
Kumbaro u shpreh se, takimi u organizua sot megjithëse sezoni vazhdon ende.
“Pas punës që është bërë me bashkitë prej muajit shtator dhe materialeve të marra prej tyre, në këtë mbledhje të parë shqyrtuam bashkë me kolegët e ministrive të tjera listën dhe hartat e stacioneve të plazheve”, theksoi Kumbaro.
“Jemi gati që procesi i aplikimit të hapet në 1️ nëntor për subjektet që janë të interesuara të marrin parcela plazhi në menaxhim të përkohshëm, teksa këtë vit sipërfaqja minimale e detyrueshme e plazheve publike do të rritet në 3️0️ %”, u shpreh Kumbaro.
Ajo nënvizoi se, “gjithçka kryhet online dhe sistemi hapet vetëm një herë, duke qëndruar në dispozicion për 30 ditë për të siguruar proces transparent, të hapur dhe gjithëpërfshirës”.
Kumbaro kërkoi kujdes nga aplikuesit, sepse, ndër gjitha kriteret, është shumë e rëndësishme që subjektet të sigurojnë vrojtuesin e plazhit, të kenë shlyer detyrimet tatimore dhe lokale, pasi përndryshe kontrata nuk mund të lidhet.
Kumbaro uroi që sezoni i ardhshëm të jetë edhe më i mbarë se 2022-shi që ishte rekord për numrin e vizitorëve të huaj.