Buxheti për bashkitë, ja sa para do përfitojnë Delvina dhe Konispoli
Vitin e ardhshëm, bashkitë do të kenë më shumë para’ në dispozicion. Sipas përllogaritjeve në projektbuxhetin 2023, 61 njësive të pushtetit vendor do t’u shpërndahet një fond prej 31 miliardë lekësh, 4.1 miliardë lekë apo 35 milionë euro më tepër se këtë vit. Bashkitë e mëdha janë edhe ato që marrin më shumë para’. Tirana do të ketë në menaxhim 4.3 miliardë lekë, Durrësi 1.7, Elbasani 1.3, Shkodra 1.2 dhe Fieri 1.1 miliardë lekë.
Ndërkohë, të kursyera do duhet të jenë bashkitë e vogla. Për Dropullin janë në dispozicion 146 milionë lekë, për Delvinën 139 milionë e për Konispolin 114 milionë lekë. Me një zero më pak do të jetë buxheti për Bashkitë Libohovë e Pustec me 91 dhe 75 milionë lekë.
Një pjesë të fondit që bashkitë do të marrin vitin e ardhshëm do ta shpenzojnë për mbrojtjen nga zjarri me 1.5 miliardë lekë, ujitjen dhe kullimin me 993 milionë lekë, menaxhimi i mbetjeve 700 milionë, rrugët 580 milionë, konviktet e arsimit parauniversitar 541 milionë dhe mbrojtja sociale vetëm 136 milionë lekë.