Rama: Gjirokastra ishte e harruar, sot janë hapur struktura të reja hoteliere
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se deri para 5-6 vjetësh në Gjirokastër kishte shumë pak dyer të hapura, ndërsa sot janë hapur struktura të reja me cilësi mbresëlënëse.
Në një takim me operatorë turistikë dhe të hotelerisë në qytetin e Gjirokastrës, Rama u shpreh se, “mesa pashë mbrëmë dhe pak sot i keni plot me aktivitet hotelet, bujtinat, dyqanet tuaja në Qafën e Pazarit dhe më vjen shumë mirë që përsëri ndjesia e marrë nga kjo vizitë është ndjesia e ndryshimit, e gjërave të reja, e një zhvillimi që bëhet gjithnjë e më kapilar, tanimë jo vetëm falë punëve që bën qeveria me bashkinë, por dhe falë rritjes së vijueshme të investimeve për të krijuar sipërmarrje të reja familjare dhe për të rritur ekonominë familjare dhe lokale”.
Rama theksoi se, “deri para 5-6 vjetësh këtu kishte shumë pak dyer të hapura dhe kishte shumë pak vizitorë dhe kishte shumë gri, shumë hije harrese dhe braktisje që kur hyje tek ai Sheshi i Çerçizit me makina dhe gropa dhe në Qafën e Pazarit ku kalldrëmet ishin keq, ndërtesat ishin keq. Për të mos folur pastaj për pjesët e tjera që i bënin vetëm jehonë zbrazjes “.
“Tani jemi në një kthesë që vazhdon, nuk është e kryer, por jemi në një kthesë. Për hir të së vërtetës jo vetëm janë hapur struktura të reja, por edhe cilësia është mbresëlënëse”, tha Rama .