Rama: Javën tjetër dialog në bashkitë e Shqipërisë
Java e ardhshme duket se do të jetë intensive për kryeministrin Edi Rama. Kreu i qeverisë ka ndarë me ndjekësit e tij në rrjetet sociale një postim ku shfaqet me kryeministren finlandeze, Sanna Marin dhe thotë se pas një kongresi frymëzues në Berlin, kthehet në Tiranë për përgatitjet e fundit të dialogut që do të nisin javën tjetër në bashkitë e vendit.
Ky dialog do të bëhet për përballimin e inflacionit të luftës, mbrojtjen e familjeve dhe bizneseve nga rritja e çmimit të energjisë, buxhetin e ri 2023 dhe mburojën sociale të vitit të ardhshëm. Por jo vetëm, kreu i qeverisë thotë se do të diskutohet edhe për të “djathtën e rublave” si dhe ecurinë e qeverisjes vendore.
“Pas një kongresi frymëzues në Berlin, kthehemi në Tiranë për përgatitjet e fundit të dialogut që do të nisim javën tjetër në bashkitë e Shqipërisë; për përballjen me inflacionin e luftës, mbrojtjen e familjeve e bizneseve nga rritja e çmimit të energjisë, buxhetin e ri 2023 dhe mburojën sociale të vitit të ardhshëm, për të djathtën e rublave medoemos, si edhe për ecurinë e qeverisjes vendore së bashku me ambiciet e mandatit të ri për bashkitë”, shkruan Rama.
Kujtojmë se që prej të premtes Rama ndodhet në Berlin në kuadër të kongresit të partive socialiste europiane.