Mbytja e turistes në Sarandë, arrestohet 45-vjeçari që nuk siguroi kushtet teknike
Një 29-vjeçare angleze është nxjerrë e pajetë pasditen e djeshme nga deti në Sarandë. Mësohet se një 45-vjeçar është arrestuar si përgjegjës për vdekjen e saj. Bëhet e ditur se 45-vjeçari është arrestuar për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Punësimi i paligjshëm”. Zhytësja ishte pjesë e një skuadre zhytësish profesionistë që gjendeshin në një ekspeditë eksplorimi.
“Nga verifikimet ka rezultuar se shtetasi S. K. e kishte punësuar në mënyrë të paligjshme instruktoren e zhytjes. Po ashtu ai nuk i kishte siguruar kushtet e nevojshme teknike për zhytje.”, thuhet në njoftimin e policisë.
29-vjeçarja britanike është mbytur ditën e djeshme në vendin e quajtur “Vapori i mbytur”, në Sarandë. E reja ishte në një ekspedite zhytjeje me përgjegjës 45-vjeçarin. 8 shtetas të huaj bashkë me 3 shtetas shqiptar, të cilët kanë qenë në ekuipazhin e anijes. E reja ka arritur që të dalë në sipërfaqe të detit dhe ka bërë thirrje për ndihmë. Grupi me të cilin ishte i kanë bërë thirrje që të shtypë butonin e emergjencës, i cili hap jelekun e shpëtimit dhe lëshon bombulën e oksigjenit. Por 29-vjeçarja nuk ka arritur që ta shtypë dot.
Burime nga spitali i Sarandës konfirmojnë se shtetësja britanike mbërriti pa shenja jete në spital. Sipas vlerësimit paraprak mendohet se ajo mund të ketë pësuar një sulm paniku gjatë zhytjes që mund të ketë sjellë më pas atak kardiak megjithatë për të gjitha rastet e të huajve ekspertiza mjeko-ligjore kryhet në Tiranë. Vlerësimet përfundimtare të shkakut të vdekjes priten sot.