Transportonte 12 emigrantë të paligjshëm, arrestohet 35-vjeçari nga Saranda
Policia e Vlorës ka arrestuar një 35-vjeçar, i cili po transportonte 12 emigrantë të paligjshëm.
Policia e Shtetit njoftoi sot se, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në DVP Vlorë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Bypass”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi A. H., 35 vjeç, banues në Sarandë.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Kaninë – Alikok, duke transportuar me një mjet tip furgon, 12 emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.