Vijon puna me infrastrukturën lidhëse, Aeroporti i Vlorës ndikim në ekonomi
Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga puna intensive që po vijon në kantierin e e rrugës lidhëse të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Kryeministri u shpreh finalizimi i këtij investimi infrastrukturor në fund të vitit dhe projekti i Aeroportit do kenë në të ardhmen një ndikim madhor në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e turizmit.
“Në kantierin e rrugës lidhëse të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës puna po vijon me ritme të shpejta, për të finalizuar në fund të këtij viti këtë investim infrastrukturor, që bashkë me projektin e Aeroportit do kenë në të ardhmen një ndikim madhor në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e mëtejshëm turistik të vendit”, shkruan Rama.
Ndërtimi i aeroportit të Vlorës po kryhet nga bashkimi i kompanive të regjistruara në Zvicër, Mabco Construction, i përbërë nga Mabetex Group, i cili mban 50 % të aksioneve, YDA Group me 48 % dhe A Group sh.p.k me 2 %.
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është në strategjinë e aviacionit civil një nga veprat më të mëdha që është projektuar për të akomoduar të gjitha fluturimet kudo në botë dhe ato transoqeanike, që deri më sot nuk janë ofruar nga vendi ynë për shkak të pistës jo të përshtatshme në aeroportin e Rinasit.
Sipas të dhënave të projektit, aeroporti do të shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh. Nga këto 16.000 m2 do të jetë zona e terminalit të pasagjereve. Parkingu i avionëve do të jetë 46.690 m2 nga të cilat 32.000 m2 do të jenë për pozicionet e avionëve (12 vendqëndrime). 2000 m2 do të jetë sipërfaqja e shërbimit zjarrfikës.
Kategoria e aeroportit do të jetë 4E, që do të thotë se plotëson kushtet për avionë të mëdhenj.
Me një vlerë investimi prej 104 milionë euro, në periudhën 2-vjeçare të fazës së parë do të ndërtohet godina e aeroportit dhe pista, që kapin vlerën mbi 103.5 milionë dollarë.
Ndërsa në fazën e dytë, në 4 vitet e para do të zhvillohet infrastruktura suplementare e biznesit dhe turizmit, që arrijnë vlerën e investimeve me qindra-miliona euro.
Aeroporti i Vlorës do të presë udhëtime të drejt për drejta edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky investim pritet që të hapë 1 mijë vende pune të reja, do të ulë çmimet e biletave për shqiptarët dhe do ta kthejë Vlorën në portën më të rëndësishme turistike të rajonit.