Autor i disa vjedhjeve në Sarandë, arrestohet 22-vjeçari
Policia e Sarandës ka zbardhur dhe dokumentuar 7 vjedhje dhe ka vënë në pranga një 22-vjeçar, si autor i dyshuar i ngjarjeve, i cili ishte dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Sipas njoftimit të policisë, në kuadër të operacionit “Seven” u bë arrestimi i E. D., 22 vjeç, banues në Konispol, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, me vendimin e datës 18.08.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas është autor i disa vjedhjeve të ndodhura më parë në zonat e Vagalatit, Finiqit, Konispolit dhe Sarandës, konkretisht:
1. Më datë 25.12.2021, në fshatin Leshnicë e Poshtme, Finiq, dyshohet se ka vjedhur disa vegla pune, në automjetin tip kamionçinë, në pronësi të shtetasit K. L;
2. Më datë 12.01.2022, në lagjen nr.2, Ksamil, Sarandë, dyshohet se ka vjedhur një shumë parash, në kioskën e shtetases A. P;
3. Më datë 31.01.2022, në lagjen “Rinia”, Ksamil, Sarandë, dyshohet se ka vjedhur dy qen gjahu, në banesën e shtetases M. P;
4. Më datë 17.03.2022, në fshatin Çlirim, Finiq, dyshohet se ka vjedhur një biçikletë dhe një bateri makine, në automjetin tip furgon, në pronësi të shtetasit kanadez C. D;
5. Më datë 01.04.2022, në fshatin Shalës, Konispol, dyshohet se ka vjedhur një shumë parash, në banesën e shtetasit Xh. D.;
6. Më datë 24.05.2022, në fshatin Vrion, Finiq, dyshohet se ka tentuar të vjedhë magazinën e shtetasit P. H.;
7. Më datë 10.08.2022, në fshatin Çiflik, Konispol, dyshohet se ka vjedhur 2 kondicionerë në banesën e shtetasit M. GJ.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që dyshohet se ky shtetas ka kryer edhe në disa banesa në fshatin Vagalat, Finiq.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme procedurale.