U sëmur rëndë gjatë pushimeve në Sarandë, mjekët shqiptarë i shpëtojnë jetën turistes italiane. Rama: Kjo është shëndetësia shqiptare….
Sabrina, një vajzë 23-vjeçare nga Italia, teksa po pushonte në Shqipëri, i mbijetoi një emergjence shëndetësore madhore falë bluzave të bardha.
Kryeministri Edi Rama shprehu sot respekt për mjekët që ndoqën këtë rast.
“Pas marrjes së ndihmës së parë në Spitalin e Sarandës, e reja u operua dhe trajtua në Maternitetin “Koço Gliozheni” dhe sot gëzon shëndet të plotë, gati për të dalë nga spitali me mbresat më të mira nga shërbimi shëndetësor shqiptar dr. Arian Shtylla, dr. Bori Zeneli, dr. Nikoleta Xhavara dhe dr. Julia Bleta”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale, teksa publikoi edhe rrëfimin e Sabrinës, të fejuarit të saj dhe mjekut Arian Shtylla.
“Isha me të vërtetë e frikësuar, sepse isha larg shtëpisë, por jam pritur shumë mirë këtu nga infermierët dhe mjeku që më ka kuruar dhe operuar. Nuk jam ndjerë aspak si larg shtëpisë edhe pse nuk i kisha prindërit afër. Jam mirënjohëse ndaj të gjithëve që më kanë ndihmuar dhe më kanë qëndruar pranë në këto ditë. Vërtet faleminderit të gjithëve!”, u shpreh Sabrina.
Ndërsa i fejuari i saj theksoi se, “u tremba shumë kur mora vesh lajmin. Kur erdhëm këtu u pritëm vërtet sikur të ishim në shtëpinë tonë. Na trajtuan shumë mirë, nuk e prisja, vërtetë që nuk e prisja. Isha si në shtëpi, sikur të isha në familjen time, duke nisur nga mjeku, i cili ishte shumë i sjellshëm dhe infermierët e asistentët. Të gjithë!”.
Ndërsa doktor Arian Shtylla u shpreh se, “ishte me të vërtetë një situatë shumë problematike. Zonja ka ardhur në mes të natës, në orën 2 të mëngjesit nga Saranda me një komplikacion madhor të një abdonimi akut. U morën të gjitha masat, në bashkëpunim edhe me mjekët e spitalit të Sarandës, të cilët na informuan për rastin. U vumë në lëvizje dhe menjëherë sa ka ardhur, diagnozën e vumë në moment dhe bëmë ndërhyrjen. Dhe në sajë të kohës së shpejtë që u bë ndërhyrja arritëm të minimizonim të gjitha humbjet e gjakut dhe sot pacientja është në gjendje shumë të mirë dhe gati për të ikur në shtëpi”.