Turisti nga SHBA nuk i bindet urdhrit të policisë në Sarandë, tenton të largohet me gomone! Gjobitet me 50 mijë lekë dhe i bllokohet mjeti për 30 ditë
Pronari i një mjeti lundrues do të vihet nën hetim në gjendje të lirë pasi nuk iu bind punonjësve të policisë Kufitare në Sarandë për kontrollin e dokumentacionit të tij. Ai është identifikuar si M. M., 61 vjeç, lindur në Sarandë dhe banues në Florida.
Gjatë patrullimit në gjirin e Sarandës, në vendin e quajtur “Kanali i Çukës”, shërbimet e policisë kufitare kanë ndaluar për kontroll dokumentacioni një mjet lundrues tip gomone, ndërsa pronari nuk i është bindur urdhrit për kontroll dhe ka tentuar të largohet.
Për këtë arsye u ndëshkua me masë administrative 50.000 lekë të rinj, si dhe iu bllokua mjeti lundrues për 30 ditë.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin M. M., për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.