Zaptoi hapësirën publike të plazhit, vihet nën hetim pronari i subjektit në Sarandë, i sekuestrohen 132 çadrat dhe shezlongët

SARANDË– Pronari i një subjekti, 36-vjeçari me iniciale A.L., është vënë nën hetim pasi kishte zaptuar hapësirën publike të plazhit në vendin e quajtur “4 ishujt” në Ksamil duke vendosur 132 çadra dhe shezlongë pa pasur lejen përkatëse.

132 çadrat dhe shezlongët u sekuestruan në kuadër të planit operacional për kontrollin e vijës bregdetare dhe lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme, nga subjekte të ndryshme që vendosin çadra dhe shezlongë.

Materialet në ngarkim të pronarit të subjektit u referuan në Prokurori dhe nisi hetim ndaj tij për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

NJOFTIMI I POLICISË

Ksamil, Sarandë

Policia e Sarandës vijon kontrollet përgjatë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit.

Procedohet penalisht pronari i një subjekti, i cili kishte zënë hapësirën publike me shezlongë dhe çadra, të vendosura pa lejen përkatëse, si dhe nuk lëshonte kupon tatimor për shërbimin e ofruar.

Sekuestrohen 132 çadra dhe shezlongë.

Në kuadër të planit operacional për kontrollin e vijës bregdetare dhe lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme, nga subjekte të ndryshme që vendosin çadra dhe shezlongë, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin:

-A. L., 36 vjeç (pronari i subjektit), për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Shërbimet e Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake Sarandë, kanë liruar hapësirën publike, duke hequr 132 çadrat dhe shezlongët që ishin vendosur pa lejen përkatëse, në vendin e quajtur “4 Ishujt”, Ksamil.

Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme.