Dështojnë zgjedhjet e LSI në Gjirokastër, vetëm 43 vetë votojnë

Anëtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim do të votojnë ditën e sotme për delegatët e Konventës Kombëtare.

Procesi i votimit është hapur në të githë vendin në orën 09:00 të mëngjesit dhe pritet të zgjasë deri pasditen e sotme në orën 16:00.

Por në Gjirokastër ky proces duket se po shkon drejt dështimit. Mësohet se deri më tani kanë votuar vetëm 43 veta.

Ish-deputeti Vangjel Tavo është angazhuar personalisht për të bërë telefonata në Gjirokastër, Dropull, Libohovë etj për t’i bindur përkrahësit e LSI-së që të shkojnë të votojnë.

Më shumë sesa frika e pandemisë, mungesa e interesimit për këto zgjedhje dhe për vetë LSI-në si forcë politike, lidhet me faktin se kjo parti që pas daljes në opozitë po shkon drejt zvogëlimit. LSI u rrit dhe zhvillua sepse i ishte qepur pushteteve “si Meta pas këpucës”, ka pas thënë Rama kohë më parë.

Pasi doli nga qeveria në vitin 2017, për LSI-në ishte njësoj si një pacient të cilit i shkëputën oksigjenin.

Në zgjedhjet e 25 prillit kjo forcë politike pritet të marrë një tjetër goditje.

Edhe persa i përket Gjirokastrës gjasat që Vangjel Tavo të marrë një tjetër mandat janë shumë të pakta.