Finiq: Kishë në shpellë, njihuni me Fjetjen e Shën Mërisë që banorët e zonës e krahasojnë me kishën e Laçit
Kisha Fjetja e Shën Mërisë në Kostar ishte ndalesa e radhës e Orës Verore. Ajo ngrihet në anën lindore të qytetit antik të Finiqit dhe ndodhet brenda një shpelle të natyrshme në malin Kostari.
Godina e kishës i përket shekullit XVIII-XIX, por pikturat rrënjët e para të ekzistencës së saj si vend kulti i ka në shekullin XIII-XIV, shpjegon arkeologu Genc Kaçi që ishte dhe udhërrëfyesi i gazetarit Ronaldo Sharka në këtë vizitë.
Pjesa veriperëndimore u ndërtua për herë të parë në 1332 dhe, më vonë, në vitet 1690-1770 u unifikua me pjesën tjetër.
I është kushtuar Shën Merisë dhe 15 gushti është dita e saj e festimit, duke u kthyer në një pelegrinazh madhështor rajonal.
Ajo çfarë në këtë vend të shenjtë ndodh përgjatë 14-15 gushtit banorët e zonës e krahasojnë me kishën e Shën Ndout në Laç.
“Zona ku është ndërtuar kisha janë të besimit ortodoks. Po kështu njihet dhe qarkullojnë legjenda urbane se kanë ndodhur mrekulli të ndryshme. Zona e cilëson këtë vend si një nga vendet më të shenjta, kushdo që ka një sëmundje vjen dhe kalon një natë. Në datat 14 vijnë dhe e gdhijnë këtu kurse në 15 është festë me valle, këngë, ushqim”.