Një jetë mes tokës dhe detit, Saranda i merr kapitenin e anijes Vlorës: Deti është pasion, nuk vihet për rrogë
Ora Verore këtë të mërkurë solli një personazh shumë interesant për publikun. Artur Toçi, kapiten anije prej tre dekadash e ndan jetën mes tokës dhe detit.
Ky sezon e ka gjetur në Sarandë si kapiten i anijes së piratëve.
“Si kapiten me dokumenta kam 31 vjet por në det punoj prej 35 vjetësh. Është pasion, duhet ta kesh dashuri detin. Edhe unë e kam rrëmbyer zanatin nga të tjerët. Në det nuk duhet të vish thjesht për të marrë një rrogë, duhet ta kesh pasion”.
Kapiten Toçi jeton me familjen në Vlorë, një qytet bregdetar që gjithashtu ka me shumicë anije turistike. Arsyen se pse gjendet në Sarandë e zbulon vetë ai.
“Unë lë familjen dhe vi në Sarandë për lekë më tepër. Anije Vlora ka plot. Unë kam punuar, vëllai im ka dy anije turistike. Sarandiotët dinë ta vlerësojnë se kanë marrë të gjithë anije me vela. Njerëzit duan pirati, nuk do njeri më komoditet, u janë kthyer divanëve të vjetër. Duan aventura, anije antike”.
Ai na zbuloi dhe një pasion të tij, koleksionimin e kapeleve.
“Unë kam 30 kapele në anije, kam në shtëpi dhe 60 të tjera. Unë i mbledh kapelet, i blej. Kam ndaluar anijen në mes të detit për të blerë kapele. Sot kam blerë këtë të voglën për nipin. Kam dhe bluza me viza të marinarëve. Ja kam kushtuar çdo gjë detit”.