Ksamil/ Kryenin manovra duke rrezikuar pushuesit, sekuestrohet dy mjete lundruese, pronarët gjobiten

Dy mjete lundruese “Jet ski” janë bllokuar ndërsa pronarët e tyre janë gjobitur, pasi kanë kryer manovra të rrezikshme në plazhin e Ksamilit, duke rrezikuar jetën e pushuesve.

Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë, kanë marrë njoftim për dy shtetas që kryenin manovra të rrezikshme me mjete lundruese, në det, duke rrezikuar pushuesit.

“Pas lokalizimit të dy mjeteve lundruese, në bazë të ligjit nr.127, datë 15.10.2020, neni 14/b, u ndëshkuan me masë administrative 10.000 lekë të rinj secili, pronarët e mjeteve lundruese, shtetasi E. H., banues në Sarandë dhe shtetasi K. K., banues në Tiranë. Gjithashtu u bë bllokimi i të dy mjeteve lundruese “Jet ski” me të cilët këta shtetas kryen manovra të rrezikshme, në plazhin e Ksamilit,” njoftoi policia.

Ndërkohë “gjatë muajit korrik, si rezultat i kontrolleve, janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë të rinj secili, 25 drejtues të mjeteve lundruese, kryesisht “Jet ski”, nga të cilat 3 janë bllokuar,” thuhet në njoftimin e policisë.