Rruga e re nga Qeparoi në Vlorë shkurton distancat, udhëtim mes luginash e malesh të lartë
Pragmbrëmje e së dielës. Teksa lë pas një nga plazhet e bregdetit të Himarës, vendos të bëj një zgjedhje ndryshe të itinerarit të kthimit për në Vlorë.
Në ndryshim nga mëngjesi i një dite më parë, kur, si zakonisht, udhëtova përmes Qafës së Llogorasë, në kahjen e kundërt i drejtohem rrugës së re, Qeparo-Ura e Laskos(Kuç), për të vijuar përgjatë rrugës së Lumit të Vlorës, me destinacion, qytetin tim. Sa hyj në shtratin e ri të kësaj rruge, që nis diku mes Himarës dhe Qeparoit, shoh se nuk jam i vetmi që kam bërë këtë zgjedhje. Përpara meje, dhjetëra autovetura të tjera me pushues, që, ashtu si unë, kthehen nga fundjava në plazhet e Himarës, apo Sarandës dhe nxitojnë për në qytetet e tyre.
Qysh në metrat e para, përjetoj një ndjesi të këndshme. Makina ime përshkon një rrugë të bukur, të gjerë, me standarde bashkëkohore, që gjarpëron mes luginash dhe malesh të lartë, në sfondin e një peizazhi të jashtëzakonshëm natyror. Është një udhëtim komod që ma përforcon edhe më tej idenë e zgjedhjes që bëra. Kisha tentuar edhe disa javë më parë, të përshkoja këtë rrugë, në kahjen e kundërt, nga Ura e Laskos për në Qeparo, por isha tërhequr. Përkundër kureshtjes time njerëzore e profesionale, punëtorët e kompanisë ndërtuese më kishin sugjeruar të prisja edhe pak kohë, sa të përfundonte asfaltimi i kilometrave të fundit.
Dhe ja tashmë, kureshtja ime po zhvendoset në një dimension tjetër, në atë të një realiteti tërheqës. Është ky realitet që, në fakt, ka nisur të ngjizet tek unë gjashtë vjet më parë, teksa kishin nisur përpjekjet për të konkretizuar këtë projekt, si investimi më i madh në historinë e kësaj zone.
“Nuk e mendonim se do të kishim ndonjëherë këtë rrugë në fshatrat tona dhe aq më tepër të lidheshim me Himarën për pak kilometra”, më thoshte para pak javësh, Çize, kryeplaku i fshatit Buronja, Kuç. Dikur, ekzistonte një rrugë pa rrugë, përmes të cilës mund të zbrisje nga Kuçi për në bregdet, përmes asaj që njihet me emrin Qafa e Dërrasës, por atë mund ta përshkoje vetëm me kafshë….
E ndërsa mendoj këto, mbërrij tek rrethrrotullimi në afërsi të Ura e Laskos, pranë Kuçit. Shoh orën. 17 km për rreth 16 minuta.!!! Gjashtëmbëdhjetë minuta për të ardhur nga bregdeti, këtu, mes malesh të lartë, në fshatin Kuç.…!!!
Më tej, rruga që përshkon Lumin e Vlorës, për në qytetin tim. Vargu i automjeteve vijon me shpejtësi normale. Muzgu që po bie e bën edhe më të bukur udhëtimin. Brenda 45 minutash mbërrijmë në rrethrrotullimin ku rruga kryqëzohet me bajpasin e Vlorës. Këtu bashkohemi me vargun e autoveturave që vijnë nga Orikumi, Dhërmiu, e më tej.
Fluksi rritet dukshëm, por jo aq sa të ngadalësojë shpejtësinë e të rëndojë trafikun. Brenda një kohe të shkurtër shfaqet hyrja për në autostradën Vlorë-Fier. Këtu drejtimet tona, ndahen. Shoh sërish orën. Kanë kaluar 66 minuta qysh kur jam nisur nga Qeparoi. Një kohë e shkurtër. Mjafton të bësh një krahasim të vogël, për të perceptuar ndryshimin. Dikur, në periudhë normale, për të përshkuar aksin e zakonshëm rrugor, përmes Qafës së Llogorasë, do më nevojiteshin jo më pak se 2 orë.
Por, në periudhën e sezonit veror, shifrat do të shumëfishoheshin. Veçanërisht në fundjavë. Dhe akoma më keq, prag mbrëmjet e të dielave, kur aksi rrugor nga Qafa e Llogorasë deri në të dalë të Vlorës për në kryeqytet, shndërrohej në një ferr të vërtetë për pushuesit që ktheheshin nga plazhet e Bregdetit të Jugut.
Por, ky realitet, tashmë i përket të shkuarës. Alternativat e zgjedhjes për të udhëtuar, tashmë janë shtuar. Ndërtimi i rrugës së Lumit të Vlorës dhe lidhja e saj me Bregdetin, është një nga këto opsione zgjedhjeje. Kjo e ka lehtësuar dukshëm trafikun dhe ka rritur standardin dhe komoditetin në udhëtim.
Sikundër ishte parashikuar, rruga përfundoi brenda afatit dhe, sipas burimeve të policisë së qarkullimit rrugor, po frekuentohet gjithnjë e më shumë nga drejtuesit e automjeteve.
Ky projekt, tashmë i ka dhënë një dimension tjetër kësaj hapësire, ndër më të bukurat në vend. Këtu, dora e njeriut dhe ajo e natyrës, kanë krijuar një unitet domethënës, duke e shndërruar atë në një potencial të jashtëzakonshëm zhvillimi.
Me një vëzhgim të thjeshtë kushdo mund të konstatojë ndryshimin. Janë shtuar bizneset buzë rrugës, janë shtuar njerëzit, janë shtuar ndërtimet. Janë shtuar edhe parcelat e kultivuara me kultura bujqësore.
“Me ndërtimin e rrugës, është rritur shumë edhe interesi i banorëve për t’u rikthyer në vendlindje, si edhe për të ndërtuar banesa të reja”, thotë Pano Bajrami, ish mësues, që ka zgjedhur të kalojë vitet e pensionit në vendlindje, në fshatin Brataj.
Kjo rrugë, që përshkon këtë krahinë, duke u nisur nga Vlora me destinacion final bregdetin e Himarës dhe bashkon të gjitha fshatrat e Lumit të Vlorës, merr një rëndësi të jashtëzakonshme, për shkak se i jep frymëmarrje kësaj zone me potenciale të mëdha ekonomike, ku të paktën prej 30 vitesh, kanë munguar tërësisht investimet.
Pikënisja e këtij projekti u konkretizua, fillimisht, me një marrëveshje mes Qeverisë Shqiptare dhe asaj të Kuvajtit, në vitin 2016. Në tërësi, vlera financiare e këtij investimi arrin në 97.4 milionë USD, prej të cilave, 27.4 milionë USD nga Qeveria Shqiptare dhe pjesa tjetër nga Kuwait Fund for ARAB Economic Development Fund.
6 vite më parë, punimeve në terren, i parapriu procesi i përzgjedhjes së firmës hartuese të projektit. Në përfundim të procedurave që kishte çelur Qeveria Shqiptare, u shpall kompania fituese, Gjeokonsult&CO& 47 EK 79&Iliriada P.K.S. me një vlerë prej 1.4 milionë euro, që financohej nga buxheti i shtetit.
Në tërësi, projekti i plotë i rrugës së Lumit të Vlorës, përfshin të gjithë sistemin infrastrukturor që lidh edhe pjesën tjetër të kësaj zone, ku përfshihen tre njësi të qeverisjes vendore, bashkitë Vlorë, Selenicë e Himarë. Më herët ka përfunduar edhe rikonstruksioni i rrugës Selenicë-Vlorë, pjesë e këtij sistemi infrastrukturor.
Veç nxitjes që do t’i japë zhvillimit të qëndrueshëm të zonës, rruga mundëson lidhjen e saj me Bregdetin, çka krijon një komunikim të ndërsjelltë për këto dy hapësira me veçori karakteristike, duke realizuar gjithashtu një komunikim të natyrshëm mes fshatrave të kësaj zone me Himarën, një pjesë e të cilave përfshihen në këtë njësi të qeverisjes vendore, të dalë pas reformës administrative territorial të vitit 2015.
Më parë, kjo rrugë, ishte në një gjendje tepër të rënduar, për shkak të mungesës së investimeve prej më shumë se 30 vitesh. Vetëm për të përshkuar segmentin rrugor Vlorë-Kuç, me një gjatësi pak më shumë se 65 km, me një automjet “Fuoristradë” do të duheshin më shumë se 3 orë. Ndërkohë, lidhja me bregdetin ishte e pamundur.
Pesë vite më parë, në ceremoninë e nisje së punimeve, Kryeministri, Edi Rama, vlerësonte rëndësinë e kësaj rruge, ndërtimi i të cilës, sipas tij, do të ketë impakt në ekonominë kombëtare.
“Rruga e Lumit të Vlorës nuk është thjesht një aks që që prek një numër të caktuar zonash dhe fshatrash, por është një aks shpirtëror, historik për këtë zonë dhe ky është projekti më i madh i ri i Qeverisë Shqiptare, i cili financohet nga fillimi në fund”, theksoi Rama.
Përmes ndërtimit të kësaj rruge u krijohet mundësi edhe banorëve të Tepelenës apo turistëve që vijnë nga Gjirokastra, për të pasur një akses më të shpejtë në bregdet. Por, ajo do të krijojë edhe një hapësirë të re turistike dhe, gjithashtu, një dimension të ri zhvillimi për këtë zonë të re të turizmit, por edhe të bujqësisë e blegtorisë.
Nga ana tjetër, me përfundimin e këtij aksi rrugor, pjesë e sistemit kombëtar, vlerësohet të ketë një rritje mesatare të fluksit të njerëzve dhe të mallrave me mbi 4 përqind në vit, në shkallë vendi. Në këtë këndvështrim, ky projekt përfaqëson një investim të rëndësishëm strategjik me impakt kombëtar, me përfitues në tërësi rreth 129 mijë banorë, ndërkohë që, përmes tij është vendosur një standard i ri në realizimin e investimeve të kësaj kategorie.
Krahina e Lumit të Vlorës, me rreth 58 fshatra, një pjesë e të cilave përfshihen tashmë në hapësirën territoriale të Bashkisë së Himarës, vlerësohet për potencialet e mëdha ekonomike që mbart. Ajo nis me Kurveleshin e Poshtëm tek Buronjat dhe gryka e Kuçit dhe vazhdon deri në Myzeqenë e Vlorës me një gjatësi të përgjithshme prej rreth 80 km dhe sipërfaqe rreth 332 km2 dhe spikat me resurset e veta blegtorale, bujqësore, por edhe si një hapësirë për zhvillimin e turizmit natyror, kulturor, agroturizmit etj.
Në të ndodhen qytezat antike të Amantias e Olimpes, mjaft të njohura për vlerat e tyre të jashtëzakonshme, si qendra të spikatura të antikitetit.