Kumbaro: Vetëm 3% e projektit të investimit në Butrint prekte kufirin e ish-zonës së mbrojtur
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro deklaroi sot në Kuvend se “vetëm 3% e projektit të investimit në Butrint prekte kufirin e ish-zonës së mbrojtur, ndërsa 97% e projektit shtrihet jashtë zonës, asnjëherë me status dhe në përputhje të plotë me Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Sarandë, ku parashikohet zonë zhvillimi, miratuar në vitin 2017 dhe që askush nuk e ka kontestuar”.
Në fjalën e saj në interpelancën e kërkuar nga deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, ministrja Kumbaro tha se “vetëm në hapësirën e Ksamilit deri në vitin 2009 janë dhënë 27 vendime të kthimit dhe kompensimit të pronave. Ne kemi një rekomandim të përhershëm nga UNESCO për aktualizimin e gjendjes së zonave të mbrojtura”.
Duke treguar hartën ku ndodhet edhe parku kombëtar i Butrintit, Kumbaro tha se “në të gjithë këtë sipërfaqe brenda kësaj harte është qyteti antik, është ajo për të cilën UNESCO e shpalli trashëgimi botërore, e gjithë sipërfaqja është 8622 ha, këtu brenda kemi edhe qytetin antik edhe liqenin e Butrintit. Këtu janë edhe sipërfaqet ujore, lagunat, deti, ligatinat ku vetëm liqeni zë një sipërfaqe prej 1600 ha. Në këtë pjesë kemi habitate, shkëmbinj të zhveshur, ishuj sipërfaqe të banuara, toka bujqësore në të gjitha zonat, në të gjitha që përmendja kemi edhe pasuri nënujore, të pasura me një faunë që vlen të mbrohet”.
“Në të gjitha këto zona ka edhe nën zona, që ndihmojnë në planifikimin e zonave të mbrojtura. Kur parku u ravijëzua në fillim të viteve ’90 ishte i plotë, edhe Ksamili brenda. Ksamili ku kishte agrume, pak shtëpi tradicionale dhe në fillim të viteve ’90 konsiderohej një zonë e mbrojtur”, tha Kumbaro.
Ministrja Kumbaro u shpreh se “Ksamili i sotëm është i urbanizuar kuturu, në 30 e ca kusur vite babëzie, ky është Ksamili sot, pa kriter, pa planifikim”.