Meta kthen në kuvend “Marrëveshjen për Butrintin”: Cënon interesat tona
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend, Marrëveshjen për Administrimin e Parkut të Butrintit.
Lajmi u bë i ditur nga zyra për shtyp e Presidencës shqiptare.
Sipas kreut të shtetit, kjo marrëveshje cënon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës.
Më saktësisht, Meta shkruan se “Marrëveshja për Butrintin” cënon parimet dhe vlerat universale që mbrohen që në preambulën e Kushtetutës.
Kjo, duke cënuar kësisoj drejtpërdrejtë interesin publik shqiptar.
Së dyti, presidenti shqiptar sqaron se kjo marrëveshje cënon edhe Konventën e Parisit dhe nuk është në harmoni me parimet e mbrojtura nga UNESCO.
Në motivimet e kreut të shtetit për kthimin e marrëveshjes përmendet rënia ndesh me jurisprudencën e Kushtetueses, mangësitë në procedurat e ndjekura apo edhe praktikat e Kuvendit të Shqipërisë.
Kjo, duke mos siguruar mendimin e ekspertizës së pavarur vendase që ka njohuri të thelluara mbi Parkun Kombëtar të Butrintit, nënzonave dhe siteve arkeologjike të tij.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi më 23 maj – me 75 vota pro – marrëveshjen për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor.
Pjesë e këtij ligji është administrimi i Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit.
Aktorët kryesorë, që janë nënshkrues në kontrata apo marrëveshje mes palëve, janë Ministria e Kulturës, Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe Instituti i Arkeologjisë (IA).
Këtë e dëshmon pikërisht protokolli i bashkëpunimit mes palëve, të cilin e ka siguruar Albanian Post.
Ai është firmosur nga përfaqësuesit e fondacionit, ministrisë dhe institutit, si palët e vetme në Menaxhimin e Butrintit.
Fondacioni, sipas marrëveshjes, do të ofrojë mbështetje financiare për projektet e IA-së, të cilat do të zhvillohen në zonën e “Pasurisë Kulturore”.
Njëra nga risitë e kontratës është prioriteti që do t’u jepet “arkeologëve shqiptarë”, në një sit që ka tërhequr më së shumti vëmendjen e arkeologëve italianë apo britanikë në të kaluarën.
Butrinti do të ketë, më në fund, një ambient të përshtatshëm për ekspozimin e “gjetjeve arkeologjike dhe historisë së gërmimeve”.
Kjo e fundit është menduar të vendoset në “qendrën e vizitorëve”, të cilës do t’i kthehemi sërish më poshtë.
Depozitimi dhe ruajtja e fondit arkeologjik do të zhvendoset në qytetin e Sarandës, duke iu referuar dokumentit, për të mundësuar ruajtjen e tyre.
Për të kuptuar dakordësinë mes palëve, mjafton të lexohet se fondacioni “do të konsultohet rregullisht me IA-në për çdo çështje që prek Pasurinë Kulturore dhe fushës së arkeologjisë”.
Në të kundërt, pika e fundit e bashkëpunimit lë të hapur mundësinë që palët mund t’i drejtohen Gjykatës së Tiranës, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Fondacioni do të ketë mundësi që të “thithë” edhe grante të tjera nëpërmjet partnerëve strategjikë – me daljen nga skema shtetërore.
Sa i takon investimit, për të cilin gjithashtu është bërë jo pak zhurmë, AADF-ja do të financojë me një grant deri në 5,5 milionë dollarë, nëse rakordohemi me shifrat e bëra zyrtare.
Investimi total për shtatë vitet e para është parashikuar të jetë 7 milionë dollarë.
Shteti shqiptar do të kontribuojë për pjesën e mbetur (2 milionë dollarë), të cilat gjenden në “arkën” e Butrintit.
Nga këto, 40 për qind do të shpenzohen për konservimin e parkut, ndërsa 60 për qind për përmirësimin e infrastrukturës.
Në të përfshihet edhe ngritja e një qendre të re vizitorësh, me një kapacitet për afro 300 mijë turistë.