Dhoma e Avokatisë Gjirokastër vendos bojkotin e seancave gjyqësore edhe për javën që vjen

Dhoma e Avokatisë në qarkun Gjirokastër në mbledhjen e mbajtur mesditën e së dielës, ka vendosur që edhe gjatë javës së re që do të nisë nesër, seancat gjyqësore do të bojkotohen në të dy shkallët e gjyqësorit.

Sipas përfaqësuesit të kësaj dhome Bernard Aliko, ky vendim i sotëm i bashkohet vendimeve të Dhomave të Avokatisë së Shkodrës, Lezhës, Vlorës dhe Korçës të cilat edhe ato kanë vendosur që avokatët të bojkotojnë të gjitha seancat gjyqësore të paralajmëruara për javën që vjen si një masë që ndërmerret për të kundërshtuar riorganizimin e hartës së re gjyqësore.

Brenda javës që vjen do të vendoset nëse do të bojkotohen edhe masat e arrestit të cilat deri më sot kanë qenë nën prezencën e avokatëve mbrojtës të klientëve të tyre.

Në qarkun e Gjirokastrës sipas riorganizimit të ri, do të ngelet vetëm një gjykatë, ajo e Shkallës së Parë ndërkohë që suprimohet Gjykata e Faktit në Përmet, Gjykata Administrative dhe Gjykata e Apelit.