Projekt restaurimi, rritet hapësira e vizitueshme në kalanë e Gjirokastrës
Kalaja e Gjirokastrës do të ofrojë më tepër hapësirë për vizitorët vendas dhe të huaj. Një projekt restaurimi i cili është duke u implementuar tashmë në kështjellën e gurtë synon rritjen e sipërfaqes së vizitueshme në kala si dhe konservimin dhe evidentimin e hapësirave të saj.
Sipas arkitektit që po ndjek punimet një tjetër element mjaft i rëndësishëm është edhe gërmimi arkeologjik që synon evidentimin e një historie më të detajuar të kalasë dhe qytetit.
Ndërhyrjet për përforcimin e strukturave të kalasë dhe riparimin e çarjeve që ishin krijuar do të sigurojnë një qëndrueshmëri të sigurt të kështjellës dhe do të shmangin rrëshqitjet e gurëve.
Kalaja e Gjirokastrës është një ndër më të vjetrat në rajon. Kështjella është restauruar në kohën e Ali Pash Tepelenës, por gjurmët e gjetura gjatë gërmimeve arkeologjike datojnë që në shekullin e pestë pas Krishtit.