Ish deputeti i Sarandës që shoqëroi Pompeon, Hyseni: Vizita nuk ka pasur lidhje me çështje të caktuara. Mesazhet politike mund të dhembin diku
Ish-deputeti i PS-së Alket Hyseni i cili shoqëroi ish-sekretarin amerikan të Shtetit Michael Pompeo gjatë vizitës në Shqipëri ka folur për mesazhet e dhëna nga ish-zyrtari i lartë i SHBA-ve dhe marrëdhëniet mes dy vendeve. Hyseni tha në rubrikën “Opinion” në News24 se Pompeo është një mik i madh i shqiptarëve. Sa i përket mesazhit të tij për të luftuar korrupsionin, ish-deputeti u shpreh se është një këshillë e vyer nga një mik i mirë.
“Kisha kënaqësi që ta shoqëroja gjatë vizitës. Një njëri i madh dhe një mik i madh i shqiptarëve. Unë isha i lumtur dhe i nderuar dhe sa herë do më jepet mundësia që njerëz të tillë të mikpriten në Shqipëri si personalitete të rralla.
Unë jam një ish-anëtar i parlamentit të Shqipërisë dhe në cilësinë e ish-anëtarit që kur kam qenë deputet së bashku me kreun e grupit parlamentar kemi mundësuar të bëhej kjo vizitë në koordinim me zyrën e kryeministrit për një vizitë që duhet të kapërcejë provincialitetin e disa individëve për të kuptuar që është e përmasave të mëdha. Edhe në fushën e biznesit.
Miku i mirë të jep këshillën e duhur. Nuk të bën lajka kur nuk e meriton. korrupsioni është një fenomen që ekziston kudo dhe në SHBA-të. Por këtu dhe pse kemi 100 vite e kusur shtet dhe 100 vjet marrëdhënie me SHBA-të besoj se nuk i kemi mësuar të gjitha që ka Amerika në luftën kundër korrupsionit. këtu nuk ka asgjë për të fshehur. Sfidë e jona është vazhdimi i luftës kundër korrupsionit. Unë mendoj që reformat që janë bërë dhe po bëhen do të çojnë aty ku duan dhe miqtë e Shqipërisë që të jetë. Mekanizma të fortë të shtetit për të luftuar korrupsionin kjo ka rëndësi që të ndërtohen dhe të vihen në funksion sa më shpejt. Një këshillë e vyer dhe një mesazh i qartë.
Kushdo që është në SHBA President, republikan apo demokrat vizioni i tyre për Shqipërinë mbetet i një vendi partner, një vendi që është mik që nga ana e tij ka detyrimet për të mbështetur SHBA-të në sfidat globale. në këtë drejtim marrëdhëniet janë të çimentuara. Marrëdhëniet tona janë jetike. Kanë qenë dhe përherë janë jetike sepse sfidat globale sa vjen e bëhen më të ndërlikuara”, deklaroi Hyseni.
Sa i përket një qëllimi të caktuar të vizitës, ai tha se nuk ka qenë për çështje të veçanta.
“Z. Pompeo në vizitën e tij nuk ka qenë për çështje të veçanta. Ka dhënë mesazhe të veçanta, takime të veçanta, por në asnjë mënyrë pavarësisht informacionit të pafund që ka për shkak të detyrave të tij, vizita nuk ka pasur lidhje me çështje të caktuara. Mesazhet politike mund të dhembin diku, mund të mos pëlqehen, por vizita ka qenë një vizitë për Shqipërinë, ishte e programuar për 100-vjetorin, ashtu sikurse gjatë kësaj vizite ishte shumë e rëndësishme marrëveshja ekonomike, e nënshkruar mes Albgazit dhe Linden Energy, lider botëror në fushën e gazit. Kjo i tejkalon të gjitha elementet e tjera të vizitës për shkak të rëndësisë së madhe që ka për të ardhmen e Shqipërisë.
Kjo ishte gjëja më e madhe, nisja e një hapi të rëndësishëm të një rruge që e kthen Shqipërinë në një pikë strategjike të rajonit, Europës, pa harruar luftën në Ukrainë, një luftë qytetërimesh, por edhe një luftë për të zbutur pasojat negative të kësaj lufte në një tërësi shtetesh të Europës, por edhe Ballkanit”, tha ai.