Emergjenca nga Covid-19, ministri Çuçi ndihma për shtëpinë e fëmijëve jetimë në Gjirokastër
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, njëherazi edhe deputeti i qarkut Gjirokastër, Bledi Çuçi, ka dhënë një kontribut për shtëpinë “Vatra e Ngrohtë” në Gjirokastër, aty ku strehohen disa fëmijë jetimë.
Teksa publikon videon kur kryebashkiaku Flamur Golemi dhe kryetarja e Këshillit të Qarkut, Lindita Rova dorëzojnë ndihmat pranë kësaj shtëpie, Çuçi shkruan se emergjenca e krijuar nga Covid-19 na kërkon ndër të tjera që të tregojmë edhe solidaritet me njerëzit në nevojë.
Mesazhi i tij i plotë
Në këto ditë të vështira përveçse duhet të respektojmë kufizimet e vendosura nga Qeveria për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19, duhet patjetër edhe të tregojmë solidaritet me njerëzit në nevojë.
Qëndrimi i tyre në karantinë bëhet më i lehtë nëse ne i ndihmojmë me ushqime apo medikamente. Bashkitë në të gjithë vendin po bëjnë një punë shumë të mirë në këtë drejtim. Megjithatë çdo ndihmë tjetër nga biznesi apo qytetarët e zakonshëm është e mirëpritur dhe shumë e çmueshme.
Unë dhashë një kontribut për Shtëpinë “Vatra e Ngrohtë” në Gjirokastër, aty ku strehohen disa fëmijë jetimë. Ishin kryesisht ushqime, produkte të higjenës dhe medikamente të ndryshme, që i dorëzuan sot kryebashkiaku dhe kryetarja e Këshillit të Qarkut Gjirokastër.
Falënderoj drejtuesit e kësaj qendre për punën dhe përkujdesjen që tregojnë ndaj fëmijëve. Mbështetja për këtë strehë dhe fëmijët e saj nuk do të mungojë asnjëherë, jo vetëm nga unë personalisht, por as nga qeveria, Bashkia Gjirokastër dhe kushdo tjetër që beson se ndihma për njerëzit në nevojë nuk të varfëron. Përsëris edhe njëherë thirrjen për të qëndruar brenda dhe për të ndjekur këshillat e mjekëve sa i përket higjenës e distancimit social.
Ne do ta fitojmë këtë luftë me armikun që as e shohim dhe as e prekim, por nëse ne dalim jashtë pragut atij i hapim derën dhe rrezikojmë jetën tonë e të familjarëve.