Rama në kantierin e Aeroportit të Vlorës, inspekton punimet me Behgjet Pacollin: Vepër që do transformojë industrinë e turizmit
Punimet në Aeroportin e Vlorës vijojnë, e teksa afati për përfundimin është në prill të 2024, kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Behgjet Pacolli, ishin sot në kantier për të inspektuar vijimin e projektit.
Kryeministri Edi Rama e konsideroi Aeroportin si një vepër që do të transformojë industrinë e turizmit.
“Kjo vepër që do të transformojë më tej industrinë e turizmit dhe do të rrisë ndjeshëm ekonominë e punësimin”, tha kryeministri.
Pacolli, njeriu që qëndron pas ndërtimit të aeroportit u shpreh se ky aeroport do të jetë “i përkryer dhe me standardet më të larta”.
Rama nuk kurseu as batutat me Pacollin, ku tha se pavarësisht se ai ka ndërtuar “gjysmën e Kazakistani”, gjurmët e tij në histori do t’i lërë pikërisht me ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.
“O bacë ke ndërtuar gjysmën e Kazaksitait e nuk di se çfarë ke bërë tjetër nëpër ato stane, por këtu do e lësh gjurmën për historinë. Andej do thonë erdhi një shqiptarë, ndërsa këtu do thonë erdhi Behxhet Pacolli nga Prishtina që erdhi i bëri Vlorës aeroport”, iu drejtua Rama Pacollit.
Ky investim mbi 100 milionë Euro, pritet që të hapë hap 1 mijë vende pune të reja, do të ulë çmimet e biletave dhe do ta kthejë Vlorën në portën më të rëndësishme turistike të rajonit.