Luhen fatet e sezonit, Butrinti kërkon mrekullinë ndaj Bylisit
Butrinti nuk ka në plan që të dorëzohet. Pasi mundën Besëlidhjen në stadiumin “Andon Lapa”, kanë ende shpresa për mbijetesën. Duan që të shmangin rënien direkte, ndaj në 180 minuta do të tentohet e pamundura. Kalendari i vendos në sprovë që këtë të shtunë, kur do t’u duhet të udhëtojnë në Ballsh.
Atje e pret Bylisi i ngjitur tashmë në elitë dhe që lakmon vetëm sigurimin e titullit kampion. Vështirësia është e qartë, por të besuarit e Adriatik Faslliut nuk tremben.
Kjo përballje ka marrë një vëmendje të veçantë edhe nga ana e tifozëve, që kanë munguar në seancat e kësaj jave. Sarandjotët do të udhëtojnë me “ekuipazh” të plotë në këtë transfertë, ndaj do të bëjnë çmos që të marrin trepikëshin.
Stafi teknik është duke punuar në aspektin teknikotaktik, ndërsa janë duke ideuar skema të ndryshme në funksion të sfidës së fundjavës. Pavarësisht rezultateve të kundërshtarëve, fitorja u bën shumë punë sarandjotëve.
Nëse ia dalin, atëherë do ta kenë vetë fatin në dorë. Garën e mbyllin në shtëpi, kur presin Turbinën rivale.
Kujtojmë se në sfidën e fazës së parë në “Nexhip Trungu” të Cërrikut, këta të fundit kanë fituar 1- 0 ndaj ekipit që në atë periudhë është drejtuar nga Artan Bano.