FOTOT/ “Ndërkombëtarët” vijnë në Sarandë me karikaturën e Bujar Kapexhiut

Galeria “Art-Saranda”, në zinxhirin e eventeve të saj 2022, ka ofruar një ekspozitë të një lloji të veçantë. Mjeshtri Bujar Kapexhiu, me 111 karikaturat politike të penelit të vet goditës, ka sjellë në Sarandë ekspozitën e titulluar “Ndërkombëtarët”.

Duke falenderuar Mjeshtrin Kapexhiu për përgjigjen për të tretën herë ndaj ftesës që i bën Saranda, Kryetari i Bashkisë, Adrian Gurma tha se ky artist ka meritën që jo pak njerëz e sidomos brezi i ri, ta njohë dhe identifikojë Sarandën me sheshet e xhirimit të filmit të tij “Dy herë mat”, se ato janë bërë atraksion më vete për ata që vijnë e vizitojnë këtë qytet.

“Saranda nuk ka nevojë për marketing- u shpreh Kryebashkiaku Gurma-por njerëz të tillë na bpjnë nder, edhe se ky është një qytet që e do artin dhe i nderon artistët dhe ne vetëm reflektojmë këtë dashuri, duke mundësuar praninë e tyre këtu”.

Kritiku i artit Josif Papagjoni ka treguar për Bujar Kapexhiun si një artist shumëdimensional, që krijoi një fytyrë imponuese në kinematografinë shqiptare, më tej si një kinoregjisor me gjurmë të thella në filmin e animuar, ai që i dha fizionominë e vet estradës së varietesë në Shqipëri dhe prej dekadash autor i spikatur i karikaturës politike, me të cilën vjen edhe në Sarandë.

Me nostalgjinë dhe mirënjohjen e një studenti për pedagogun e mirë, Prof. Papagjoni tha se i vjen mirë për atë që është Bujar Kapexhiu, një personalitet i vlerësuar me meritë “Nderi Kombit” dhe një artist i dashur e i mirëpritur, edhe për frymën e lirisë së krijimit, kundër skemës. Duke çmuar oraganizime të tilla për artin, artisti Kapexhiu tha se duke ardhur së fundmi i ftuar kaq shpesh në Sarandë, përveç filmit dhe ekspozitës, ka krijuar edhe një lidhje shpirtërore, që e ndjen kur ecën në rrugë, kur shetit në bulevard si Ilo Pinci apo kur hyn në restorant.

“Arti të fisnikëron, por edhe ata që e konsumojnë artin, janë njerëz fisnikë e kjo më bën të vij me kçnaqësi te publiku sarandiot”, tha Mjeshtri Kapexhiu.

Të pranishmit vizituan ekspozitën e tij në karikaturë, duke marrë ndjesi humori dhe mesazhet shpotitëse që përçohen për klasën politike shqiptare dhe zgjedhësit. /Bashkia Sarande/