Përfundon investimi, ‘Syri i Kaltër’ bëhet me pedonale! Turistët e huaj: Transformim mahnitës i parkut
Ndryshimi në Syrin e Kaltër është mahnitës. Këtë vit vizitorët do të gjejnë pedonale dhe korsi biçikletash, ndryshe nga vitet e tjera ku bukurinë e kësaj perle të natyrës zbeheshin nga rruga me pluhur dhe kaosi i parkimit të automjete.
Përmes një investimi të Ministrisë së Turizmit ka përfunduar rikualifikimi i parkut dhe pritet të inaugurohet brenda pak ditësh. Brenda parkut natyror nuk do të lejohet hyrja e automjeteve, ato do të parkohen rreth dy kilometra nga pika panoramike.
Të parët që kanë filluar ta vizitojnë Syrin e Kaltër janë turistët e huaj të cilët vlerësojnë transformimin e parkut natyror.
‘Shqipëria është një destinacion që duhet vizituar patjetër. Riviera është fantastike por edhe vendet historike si Berati e Gjirokastra. Është shumë shumë bukur dhe njerëzit janë miqësorë, mund të dalësh pasditeve të takosh njerëz të mirë dhe të ndihesh shumë i sigurt dhe mendoj se e ardhmja e turizmit këtu në Shqipëri është shumë e mirë.’- u shpreh një turist.
‘Shqipëria është një vend i pazbuluar dhe duhet parë me patjetër. Ka ushqim dhe njerëz shumë të mirë dhe tashmë që e vizitova kam një tjetër përshtypje për Shqipërinë nga çfarë e kisha më parë. Syri i kaltër fantastik me ngjyrat e tij, do ta mbaj mend gjithë jetën.’- tha një tjetër.
‘Kam ardhur këtu me familjen, është shumë bukur… Ngjyra e ujit më pëlqen shumë.’- u shprehën dy turistë.
‘Pranvera është shumë e bukur këtu. Është një ndër udhëtimet më të bukura që kam bërë dhe do të kthehem sërish në Shqipëri.’- tha një vizitor.
Syri i Kaltër i konsideruar parajsë natyrore dhe perlë e turizmit veror gjendet pranë fshatit Muzinë, në Rrugën nacionale Delvinë-Gjirokastër, rreth 30 minuta larg nga Saranda. Brenda zonës së mbrojtur përfshihen sipërfaqe ujore, sipërfaqe pyjore, livadhe e toka bujqësore.