Në prag të sezonit të ri turistik: Adrian Gurma takime me bizneset në Ksamil
Kur pushuesit e parë kanë ardhur dhe nga çelja edhe zyrtarisht e sezonit “Verë 2022” na ndajnë vetëm pak javë, Bashkia e Sarandës ka vijuar traditën e komunikimit me bzinesin vendas, për të verifikuar çfarë është bërë, çfarë ka nevojë të bëhet dhe si mund t’u jepet dora e fundit përgatitjeve për stinën e re turistike. Jo pa arësye, këto takime kanë nisur nga qyteti i Ksamilit.
“Duke qenë Ksamili etiketa më e mirë e turizmit shqiptar, zgjodha ta nis këtej bashkëbisedimin” u tha të pranishmëve Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma.
Ai u ndal në punën e veçantë dhe më herët se çdo vit tjetër, të bërë me ndarjen e 144 stacioneve të plazhit në Ksamil, me legalizimin e tyre dhe me pajisjen për herë të parë me kontratë 5-vjeçare administrimi të këtyre hapësirave.
Njëherësh, ai shprehu angazhimin e tij për të zgjidhur edhe ndonjë ngërç në këtë drejtim, nëse ekziston.
Kreu i Bashkisë Gurma, ka apeluar që kush nuk është pajisur me autorizimin përkatës, të nxitojë të pajiset dhe ka siguruar se pas marrjes së këtij dokumenti tip nga Bashkia, nuk do të ketë pengesë për kryerjen në afët të punimeve të pastrimit dhe përgatitjes së plazheve për sezonin, Ndërkohë, theksi më i parë i është vënë pastërtisë, për të cilën Kryebashkiaku ka folur jo vetëm nga pozicioni i zyrtarit të parë, pasi kërkesën për mirëmenaxhimin e mbetjeve ua ka shtruar edhe si lutje, që vjen prej mikut të tyre.
Për këtë, ai tha se do të funksionojë zbatimi i fashave orare prej orës 06:00 të mëngjesit deri në 18:00 të mbrëmjes, për tërheqjen e mbetjeve urbane të strukturave hoteliere dhe restoranteve, në bashkëpunim me ministrinë e Mjedisit dhe me Agjencinë e Bregdetit.
Ai kujtoi punën e bërë për pastrimin e ishujve të Ksamilit, situatë, e cila tha se nuk duhet lejuar të përsëritet. Gjithashtu, ndër punët e bëra mirë nga Bashkia, në shërbim të biznesit turistik në Ksamil, janë përmendur edhe lobimi për t’u investuar për ujësjellësin.
Një apel të posaçëm u bëri Kryrebashkiaku Gurma bizneseve të Ksamilit, për të mos i lejuar vetes spekullim me çmimet në sezon, pasi për momentin mund të ndjehesh i fituar, por të humbaësh klientin për fitimin e çastit, është rrënim për invesimin e bërë.
Të pranishmit që e morën fjalën në takim, ishin kokretë në kërkesat e tyre, duke prezantuar mangësi që lidhen me funksionimin jo gjithnjë normal të linjave të ujësjellësit dhe depos së ujit, për shtimin e aksesit në rrugë të blloqeve të veçanta të hoteleve, për zëvendësimin e llampave të ndriçimit në shetitoren e Ksamilit etj.
Për këto problematika sado të vogla në dukje, janë dërguar drejtues dhe ekipe të specialistëve nga Ujësjellës-kanalizime sh.a dhe nga ndërmarrja e shërbimeve publike në Bashki, për të dhënë zgjidhje sa më të shpejtë të tyre.