Turizmi, Auron Tare: Të konkurrojmë fqinjët me produktin shqiptar, taksa e karburantit për jahtet gafë e madhe
Kryetari i Këshillit Shkencor në UNESCO, Auron Tare në një komunikim me Skype nga Boston për Report Tv, tha se Shqipëria për të konkurruar fqinjët duhet të “tërheq” një turist tjetër nga ai që shkon në Greqi apo Turqi, duke kombinuar malin dhe detin, si dhe duke krijuar produktin shqiptar.
“Nuk ka ekip i cili e projekton një fokus të tillë, në përgjithësi cilësia e njerëzve që kanë drejtuar turizmin ka qenë shumë e dobët, nuk e njohin turizmin. Shqipëria duke qenë se ka hyrë e fundit në lojën e turizmin mesdhetar dhe duke qenë se ka fqinj shumë të fuqishme në këtë sektor, duhet të fokusohet te turizmi i edukuar, kulturor, natyror dhe rural. Duke ofruar një produkt turistik të kombinuar, midis malit dhe detit, duke tërhequr një turist tjetër nga ai që shkon në Greqi dhe Turqi. Ne kemi një natyrë shumë të bukur, mund të krijojmë produktin tonë, atë shqiptar. Jo për resortet, por një turizëm aktiv. Për mendimin tim duhet të fokusohemi te turizmin rural.”, tha ai.
Tare tha se sipas tij ajo çka ka bërë të “çalojë” turizmin shqiptar është fakti se fokusohemi tek sasia dhe jo tek cilësia e turistëve, gjë që është një koncept i gabuar. Ai ka shtuar gjatë fjalës së tij në emisionin “Sot Live në Shqipëri” me gazetarin Andi Kapxhiu se ekipet drejtuese të turizmit në vendin tonë janë të cilësisë së dobët.
“Unë këmbëngul që shifrat nuk janë tregues i cilësisë së turizmit. Çdo ministër turizmi, “krenohet” se janë futur më shumë turistë se viti paraardhës. Ky është koncept i gabuar, kush njeh turizmin e di që shifrat nuk janë tregues. Pra nëse ne kemi pasur më pak turistë, por më të kualifikuar, pra kanë harxhuar më shumë, kjo është një gjë shumë e mirë. “, u shpreh ai.
Kryetrari i Këshillit Shkencor në UNESCO, tha se Këshilli i Ekonomisë ka bërë një gafë të madhe kur la Shqipërinë jashtë hartës, ku jahtet mund të vijnë të marrin karburant pa taksë.
“Edhe gjatë 2022 do të ketë prurje të turizmit lindor, si vitin e kaluar. Fakti që u vendos një taks për jahtet do dëmtojë shumë ekonominë. Mendoj që Komision i Ekonomisë ka bërë një gafë, duke lënë Shqipërinë jashtë listës që jahtet mund të vijnë të marrin karburant pa taksë, duke i bërë ata të shkojnë sërish në Mal të Zi. Kur Shqipëria luftojë për disa vite për t’ i marr tregun Malit të Zi, tashmë ne po ia dhurojmë sërish atyre.”, u shpreh ai.
Ai tha se Shqipëria duhet të rrisë cilësinë e shërbimeve, pra të trajnojë njerëzit në mënyrë që turistët të krijojnë impakt të mirë që nga taksia që marrin në Aeroport e deri tek eksperienca në resort.