Hodhi inertet në det, Gjykata e Sarandës liron 42-vjeçarin: Ndalim i paligjshëm!
Gjykata e Sarandës ka liruar nga qelia të hënën paradite, 42-vjeçarin Xhelal Telo, biznesmen në fushën e makinerive të rënda, i cili ishte arrestuar si i dyshuar për hedhjen e një sasie inertesh në det.
Gjyqtari Shkëlzen Liçaj e konsideroi të paligjshëm ndalimin e tij por gjithsesi caktoi masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore të hënën e parë të çdo muaji ora 09.00”.
Vetë biznesmeni si dhe avokati i tij mbajtën qëndrim mohues ndaj akuzës duke u shprehur se “personi nën hetim ka qënë duke drejtuar kamionin me bazat e inerteve në fjalë, dhe duke pasur problem me ngjitjen në malore kamioni ka pësuar një defekt dhe për të liruar peshën e kamionit i ka derdhur bazat e inerteve në det”.
Por çfarë thuhet zyrtarisht në dosje për rasti në fjalë?
“Më datë 07.01.2021, nga ana e punonjësve të policisë të Komisaritit të Policisë Sarandë, janë konstatuar mbetje inertesh dhe gurësh të hedhura në det, në lagjen nr.4, Sarandë.
Nga këqyrja ka rezultuar se mbi një sipërfaqe toke në formë bankine gjatësore në thellësi të detit me sipërfaqe rreth 36m2, të mbushur me material inert dhe gurë, janë konstatuar gjurmë mjetesh transporti të cilat vazhdonin deri në sipërfaqen e sheshit të ndërtimit në pronësi të shtetasit A. Lapa.
Rezulton gjithashtu se në vendin e ngjarjes është konstatuar mjeti i gërmimit i llojit çekiç, i cili kishte kryer punime gërmimi gurësh, të ngjashme me gurët e konstatuara në mbetjet e inerteve dhe gurëve të hedhura buzë detit.
Gjurmët e mjeteve të transportit gjatë këqyrjes janë konstatuar vazhduese nga sipërfaqja e gërmuar e sheshit të ndërtimit deri në vendin e krijuar në formë bankine nga buza e detit”.