Roland Bejko: Sot ishte dita e vdekjes politike të Berishës
Sekretari për çështjet e pushteti vendor në PD, Roland Bejko tha se sot Sali Berisha përfundimisht ka dalë nga politika. Teksa iu referua akteve të dhunshme nga mbështetës të tij në selinë e PD-së, ai u shpreh se Berisha duhet të përgjigjet para drejtësisë si çdo qytetar tjetër.
Bejko paralajmëroi se nëse Sali Berisha do të vazhdojë me këtë mënyrë do të ketë trazira në vend.
“Të ardhme politike për Berishën unë nuk shoh, por nëse do të vazhdojë të jetë zog i lirë që do të vijë vërdallë nëpër Shqipëri, do të sjellë trazira. Ai ka mbështetës, por ata nuk e kuptojnë që luftojnë për interesat e tij personale. Ai është i parimit pas meje të bëhet qameti.
Berisha për të gjitha aktet e dhunës që nxit ai duhet të përballet me gjithçka që ka parashikuar ligji dhe si çdo qytetar duhet të kalojë në filtrin e drejtësisë për gjithçka që ka bërë në të kaluarën e tij”, tha Roland Bejko për News24.
Bejko u shpreh se ishte fat që shpëtoi pa jë thikë barkut. Ai akuzoi Berishën se u ka bërë lavazh truri demokratëve.
“Gjëra të vogla, goditje mbrapa shpine por që dhëmbin më shumë kur shikon dhe atë që të gjuajtën ke ndarë bukën. Sa parkova makinën u vonova, hyra deri në mes të sheshit kur më shajnë njerëz që nuk i njoh.
Dikush më kapi prej xhakete dhe nuk më la të hyja në seli. Më vinin shkelma, grushta. Shyqyr që ishin gazetarët dhe shpëtuam pa një thikë barkut. Faji nuk është i tyre, por i Sali Berishës. U ka bëre lavazh trurit duke identifikuar Bashën dhe ne armiq të tyre.
Sot Berisha e ka futur politikën në një fazë paramilitare. Dhuna është e pafalshme si situata ku është futur PD-ja. Berisha ka pas planifikuar marrjen e PD-së me ccdo kusht. Berisha pas 9 shtatorit projektoi një puc institucional.
Tentoi ta merrte në mënyrë institucionale partinë dhe kaloi në planin tjetër që ishte marrja e partisë me dhunë”, tha ai.
Bejko tha se këto shfaqje e penalizojnë Berishën, ndaj i beri thirrje atij qe te largohet nga politika.
“Nëse Berisha do vijojë të shkelë ligjet dhe të ushtrojë dhunë dhe do të vijojë me fjalorin e përçarjes, ai fillimisht vdekjen politike e mori që sot.
Nga ana tjetër them që drejtësia duhet të bëjë punën e tij. Në jetën e tij personale i uroj më të mirën, por të na lërë rehat në politikë sepse Shqipëria bën edhe pa Berishën”, u shpreh Bejko.