Edhe pse 27 mijë – vjeçare Shpella e Kreshmoit në Konispol, ende pa status
Nga Shpresa Dine
Edhe pse sipas studimeve arkeologjike cilësohet si shpella më vjetër me moshën më të lashtë, rreth 27 mijë vjeçare dhe që është cilësuar si shpellë model jo vetëm për territorin shqiptar por për gjithë Europën Juglindore, ajo, Shpella e Kreshmoit në Konispol, ende rezulton pa statusin e Monumentit të Kulturës.
Nuk është shpallur ende e tillë, pra Monument Kulture edhe pse dokumentacioni i plotë për biografinë e Shpellës është nisur nga DRKK e Sarandës disa vite më pare, ndërkohë që IMK (Instituti i Monumenteve të Kulturës) dhe Ministria e Kulturës, Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore, e kanë lënë atë ende pa statusin e Monumentit të Kulturës.
Shpella e Kreshmoit ndodhet në perëndim të qytetit të Konispolit, 1.5 km larg në vijë ajrore. Ka një gjatësi 54 m. Eshtë me dy degëzime një në lindje dhe një tjetër në perëndim si dhe ka një hyrje të ekspozuar nga ana perëndimore, përballë detit Jon. Lartësia mesatare e Shpellës është 6.5 m ndërsa gjerësia është 6 m.
Shpella në Konispol, sipas studiuesve arkeologë, është quajtur Shpella e Kreshmoit, pasi në periudhën e Kristianizmit vendi ku ndodhet shpella ka shërbyer si vend pelegrinazhi, ku besimtarët kristianë kryenin këtu ritet e faljes, pra vinin këtu për kreshmë, dhe si e tillë është quajtur Shpella e Kreshmoit.
Ndërsa banorët vendas e kanë quajtur atë me tjetër emërtim, Dera e Shpellës. Gjatë luftrave të ndryshme kjo Shpellë ka sherbyer si vend strehimi për t’u mbrojtur banorët e zonës nga sulmet. Halil Shabani, arkeolog me përvojë dhe i pari që ka zbuluar këtë Shpellë i pyetur për “Sarandalife@ thotë: – Shpella e Kreshmoit është zbuluar në pranverën e vitit 1987 nga nxënësit e rrethit shkencor “Arkeologu ynë” të gjimnazit “Bido Sejko” të Konispolit. Me sondazhin e parë pamë se kishte elementë të periudhës së Neolitit dhe Paleolitit në një shtresë kulturore me thellësi mbi 1.5 m.I entusiazmuar për këtë zbulim shkova në qendrën arkeologjike në Tiranë dhe pas dy vjetësh nisën gërmimet në shpellë. Në vitin 1989 nisi këtu ekspedita e parë arkeologjike, e cila u shpërnda në gjashtë ekspedita rresht, ekspedita këto të kryera në periudhën e verës.
Në vitet e para gërmimet u kryen nga ekspedita arekologjike shqiptare ndërsa në tre vitet e fundit gërmimet u kryen me ekspedita të përbashkëta shqiptaro – amerikane, me profesorë të universitetit të Teksas të qytetit Arlington. Nga zbulimet arkeologjike rezultoi se në këtë shpellë kishte shtresa arkeologjike që nga periudha e Paleolitit të lartë. Me prova laboratorike dhe me metodat krahasuese u arrit të përcaktohej edhe mosha e Shpellës, e cila rezultoi me vjetërsinë më të lashtë, 26.500 vjeçare.
Sipas arkeologëve shqiptarë dhe atyre amerikanë, që zhvilluan gërmime në këtë shpellë në vitet 1989 – 1994 këtu jeta njerëzore nuk është ndërprerë për asnjë rast dhe përfaqësohet në tërë epokat që ka kaluar ajo: epoka e paleolitit, neolitit, bakrit, bronxit e hekurit, periudha antike e ajo mesjetare deri në shek. e XII pas Krishtit. Të gjitha shtresat kulturore të zbuluara në Shpellën e Kreshmoit ishin të vendosura njera mbi tjetrën dhe në këtë aspekt kjo shpellë përbën një tip klasiku ose model jo vetëm për territorin shqiptar por për gjithë Europën Juglindore.
Njeriu i lashtë kishte vizatuar në mure shenjat e tij. Veglat e punës prej stërralli e kocke, enët prej balte, qeramika e pikturuar, terrakotat apo skulpturat e baltës, farërat e karbonizuara të elbit të egër, rrushit të egër, thiermave, kockat e dhisë së egër, deles, lopës etj përbëjnë disa nga materialet e përfituara tek Shpella e Kreshmoit. Objektet e rralla të një pllake shkëmbi ranor me nëntë vija dhe spirancat prej balte, janë gjetje të rralla, ku tregojnë arësyetimin e njeriut primitiv në shfaqjen e memurave.
Analogjitë e tërë objekteve i gjejmë në tërë arsenalin iliro – epirot, të tilla të gjetura edhe në vendbanimet e Maliqit të Korçës, Dunavecit, Kolshit, shpellës së Skraparit, Nezirit në Mat, Bënjë Përmet, Katundas Berat etj.” Prandaj duhet thënë se nuk duhet vonuar më që edhe Shpella e Kreshmoit, të marrë statusin Monument Kulture dhe të bëhet e vizitueshme për vizitorët e ndryshëm vendas dhe të huaj.