Gjykata e Gjirokastrës i ‘vë vulën’ dosjes së Kacifas: Ekstremisti grek bëri vetëvrasje

Gjykata e Gjirokastrës ka pushuar përfundimisht çështjen e vdekjes së ekstremistit grek Kostandino Kacifas në fshatin Bularat. Vendimi është marrë në datën 13 dhjetor nga gjyqtarja Suela Dashi, e cila vendosi të pranojë kërkesën e prokurorit Julian Çafka për pushimin e hetimeve.

I pranishëm në seancë ka qenë vetëm Jani Kacifas, babai i Kostandin Kacifas, i cili priti vendimin deri në fund.

Ka qenë ekspertiza e mjekëve ligjorë shqiptarë që ka dalë në përfundimin se dy plagët në trupin e viktimës janë kryer me puthitje dhe kanë faktorë plotësues, çka flet për vetëvrasje duke përjashtuar zyrtarisht ekzekutimin e ekstremistit nga forcat policore RENEA.

Ky raport i mjekëve hedh poshtë edhe deklaratën e Policisë së Shtetit pak orë pas vrasjes së Kacifas në 28 Tetor 2018, ku policia mori përsipër vrasjen e minoritarit grek, me arsyetimin se ishte një rrezik për shoqërinë.

 

“Ekspertiza mjeko-ligjore me Nr.597/1 e kryer për këtë çështje, ka dalë në përfundimin se asnjë armë e forcave RENEA nuk ka qëlluar mbi Kostandin Kacifasin.

Konkluzioni i ekspertit thotë se viktima ka dy plagë në gjoks të kryera me puthitje nga armë zjarri, me drejtim tejshkues nga para mbrapa.

Në pjesën e hyrjes, evidentohen faktorët plotësuese të barutit dhe djegies së lëkurës. …plaga me puqitje të plotë është shkaktuar e para dhe është ajo që ka shkaktuar vdekjen, ndërsa plaga tjetër është shkaktuar e dyta,”-thuhet në dosje.