Mungon Rama, Vangjel Dule nuk pranon interpelancën për minoritetet me Spiropalin

Deputeti Vangjel Dule u largua nga salla e kuvendit, pasi kryeministri Edi Rama nuk u paraqit, edhe pse ishte thirrur në interpelancë për të diskutuar mbi respektimin e drejtave të minoriteteve në vendin tonë.

Në vend të Ramës, interpelancën kërkoi ta zhvillonte ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, por ky vendim nuk u mirëprit nga Dule, që vendosi të largohej.

 

“Të drejtat e minoriteteve nuk ekziston në agjendën e kësaj qeveria, por për fatin tonë të mirë, ekziston në agjendën e BE-së”, tha Dule. “Pardje ne nuk morëm datë për hapjen e negociatave. Mes përfundimeve që u dhanë, ishin edhe ato që kanë të bëjnë me të drejtat e pjesëtarëve të minoriteteve, me aktet nënligjore që duhet të dalin. Me regjistrimin e ardhshëm të popullsisë që duhet të zhvillohet konform standardeve, çështjen e pronave”.

Kryetarja e kuvendit, Lindita Nikolla, tha se delegimi është brenda rregullores dhe se kjo ka ndodhur edhe herë të tjerë. Ndërsa ministrja Spiropali tha se pavarësisht pretendimeve të Dules, Shqipëria është “shembull rrezatues në rajon për sa i përket respektimit të pakicave kombëtare, ndërkohë që shqiptarëve në rajon u mohohen shumë të drejta”.

Gjatë seancës së sotme plenare, është parashikuar edhe ratifikimi i dy marrëveshjeve me Mbretërinë e Bashkuar, për ekstradimin e personave të dënuar dhe emigrantëve të paligjshëm.