Askush nuk shfaq interes, dështon sërish tenderi për aeroportin e Sarandës
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka anuluar për herë të dytë garën e partneritetit publik-privat për ndërtimin e aeroportit të Sarandës.
Sikurse herën e parë, shkak për mos finalizimin me sukses të procedurës është bërë mosparaqitja e asnjë ofertë brenda afateve kohore të dorëzimit të ofertave, çka do të thotë se nuk ka patur investitorë të interesuar.
Gara për dhënien me konçesion të aeroportit të Sarandës u hap në fillim të gushtit, ndërkohë që në përpjekje për të siguruar oferta të vlefshme, MIE ndryshoi 2 herë kriteret dhe afatin e dorëzimit të ofertave, duke e zgjatur deri në datën 14 tetor, nga 23 shtatori që ishte fillimisht.
Gjithashtu, ajo u rihap në 26 tetori, teksa kompanitë kishin një muaj kohë për dorëzimin e dokumenteve. Por, pavarësisht këtyre ndryshimeve duket se asnjë investitor nuk ka paraqitur interes për të nënshkruar një kontratë 35-vjeçare, me një vlerë të parashikuar investimit prej 34.32 mln euro.
Ky investim do të duhej të kryhej nga kompania që do të shpallej fituese në garë, ndërkohë që pas projektimit, ndërtimit, operimit dhe mirëmbajtjes, në përfundim të periudhës 35-vjeçare do të bëhej transferimi i veprës aeroportule pranë organeve shtetërore.
Ndërkohë që, kërkesat specifike theksonin nevojën për ndërtimin e një terminali që fillimisht do të akomodonte 130 mijë pasagjerë në vit, ndërsa pas 10 vitesh 700 mijë pasagjerë.
Aeroporti i Sarandës do të kishte kryesisht profilin e një aeroporti turistik, që funksionon zakonisht 7-8 muaj në vit, por sipas autoriteteve ai mund të shërbente edhe përtej sezonit për fluturime të brendshme.