Përmet, landfill plehrash në hyrje të Parkut Kombëtar: Banorët lajmërojnë protesta
Prej disa vitesh, Përmeti është kthyer në epiqendër për turistët e huaj dhe shqiptarë. Kjo, falë bukurisë dhe natyrës që ofron ky qytet, përveç qetësisë, ushqimit dhe mikëpritjes së njerëzve të kësaj zone.
Dy janë destinacionet kryesore ku shkojnë turistët, “Banjat e Bënjës” dhe Parku Kombëtar “Bredhi i Hotovës”. Por, në vend që këto pasuri të promovohen, në hyrje të Parkut Kombëtar “Bredhi i Hotovës” ka nisur ndërtimi i një landfilli për përpunimin e plehrave.
Landfilli është vendosur të ndërtohet në dalje të fshatit Piskovë, në rrugën që të çon jo vetëm në “Bredhin e Hotovës”, por edhe në Teqenë e Alipostivanit, e cila është ndër më të famshmet në Shqipëri dhe vizitohet çdo fundjavë nga mijëra njerëz të ardhur nga qytete dhe vende të ndryshme.
Përveç marrëzisë së ndërtimit të një landfilli plehrash në hyrje të një parku kombëtar, ndër më të bukurit në Ballkan, të cilin banorët vendas e kanë ruajtur të paprekur edhe në çmendurinë e 97-s, ky landfill është problematik edhe për banorët e zonës, të cilët kanë jo vetëm të mbjellat aty rrothull, por vetëm 500 metra më poshtë ndodhet ujësjellësi i ujit të pijshëm.
Banorët kanë paralajmëruar protesta, ndërkohë që nga ana e Bashkisë mungon transparenca. Kryetarja e Bashkisë, Alma Hoxha, është mjaftuar vetëm duke iu thënë banorëve se vendimi është marrë nga Tirana dhe ajo s’ka çfarë të bëjë.