Transportonin klandestinë me taksi nga Saranda në Kukës, arrestohen dy persona

Dy persona janë arrestuar nga policia pasi akuzohen se transportonin në mënyrë të kundraligjshme 5 emigrantë. Sipas policisë, transporti nga Saranda për në Tiranë më pas drejt Kukësit bëhej me anë të një taksie. Ndërkohë janë proceduar penalisht edhe 5 emigrantët, të cilët tentuan të kalonin kufirin në mënyrë të jashtëligjshme.

Dy personat e arrestuar kundrejt parave i transportonin emigrantët nga Saranda, në Tiranë më pas në Kukës për të kaluar kufirin në Kosovë dhe destinacioni ishte vendet e Bashkimit Evropian.

NJOFTIMI I POLICISË

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim Komisariatin e Policisë Nr. 3 dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se disa persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin transportin e emigrantëve të paligjshëm, nga Saranda drejt Tiranës, e më pas në drejtim të Kukësit, me qëllim kalimin në Kosovë, me destinacion final vendet e BE-së, organizuan dhe finalizuan operacionin “TAKSIA”, për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve V. B., 46 vjeç dhe B. T., 21 vjeç.

Këta shtetas janë kapur nga shërbimet e Policisë, duke transportuar me një mjet taksi, kundrejt shpërblimit monetar, 5 emigrantë që kanë hyrë në Shqipëri në mënyrë të paligjshme nëpërmjet kufirit me shtetin grek, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht dhe 5 shtetasit e huaj, për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në të.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.