Deputetja e Sarandës: Të ndalojmë me ligj filmat glorifikues për diktaturën
Anëtarja e Komisionit të Medias, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa propozoi sot ndalimin e filmave dhe dokumentarëve që glorifikojmë diktaturën komuniste.
“Ne kemi përgjegjësinë të ndikojmë në edukimin e brezave të rinj dhe të marrim spunto nga kjo ngjarje, nga debate që ka lindur në rrjetet sociale, në opinionin publik, në media për shfaqjen e programuar të “Prefekti” në Teatrin Kombëtar, për të rihapur edhe njëherë jo vetëm diskutimin, por edhe mendimin institucional dhe ligjor për një projektligj që personalisht do ta mbështes që ndalon shfaqjen e filmave në televizionet publike, në televizione të paguara nga taksat e qytetareve të atyre filmave që do të cilësohen të ndaluar nga profesionistë, si filma të propagandës komuniste dhe instrumente të diktaturës. Kinemaja ka qenë një instrument i propagandës komuniste dhe janë përdorur për të mbajtur dhe atë pushtetin e butë, ndërkohë nga ana tjeter ishte mizoria e një diktatori“, tha ajo.
Duke sjellë në vëmendje nismën ligjore të PD-së për dekomunistizimin dhe ndalimin e simboleve komuniste, Ina Zhupa ngriti shqetësimin për atë që mësohet sot në shkolla për periudhën e diktaturës.
“Në tekstet shkollore glorifikohet ajo që lidhet me komunizmin dhe ka vetëm gjysëm faqe libër për atë që kanë vuajtur shqiptarët në diktaturë. Çështja e teksteve shkollore, si çështja e filmave artistikë dhe të artit dhe kulturës, janë çështje që na takojnë si komision dhe nuk mund t’i shmangim. Na takon ne, te dyja anëve politike, të ndahemi një herë e mirë nga ajo periudhë”, tha ajo.