“Është turp të digjet një vajzë kaq e vogël!” Derviçani pa drita një qiri i mori jetën vajzës 12 vjeçe
Banorët e fshatit Derviçan janë të tronditur nga ngjarja tragjike në familjen Ndriço. Vajza vetëm 12 vjeçe humbi jetën pasi banesa u përfshi nga flakët, ndërsa i ati i cili tentoi ta shpëtonte ndodhet në gjëndje të rëndë në spitalin rajonal të Gjirokastrës.
Banorët thonë se fshati i tyre vuan shpesh nga mungesa e energjisë elektrike. Edhe të dielën e 28 nëntorit, fshati ka qenë pa drita dhe në shtëpinë e Ndriços është ndezur qiriu sapo ka rënë nata. Rënia e qiriut në divan dyshohet paraprakisht se ka qenë shkak i zjarrit.
Flakët kanë përfshirë gjithë orenditë e shtëpisë, ndërkohë vajza 12 vjeçare është munduar të mbyllet në banjë për t’i shpëtuar flakëve por që është asfiksuar.
Fshati prej ditës së djeshme vuan mungesën e energjisë elektrike.
“Tërë bota ka drita Derviçani nuk ka kurrë. Ka 24 orë pa drita dhe kjo gjëndje vazhdon vite të tëra. Askush nuk na e var. Është turp të digjet një vajzë kaq e vogël. Ujrat na mbytën drita nuk kemi,do kërkojmë gjetkë ndihmë” thotë një banor.
Banorët thonë gjithashtu se zjarrfikësja ka shkuar 30 minuta me vonesë.
Do të jetë hetimet që do të zbardhin shkakun e tragjedisë në familjen Ndriço, ndërsa i ati ndodhet në gjëndje të rëndë në spital.