Deputetja e Sarandës i përgjigjet Ilir Metës: Nëse ç’dekretoi zgjedhjet lokale për Bashën pse i mbrojti ato në Kushtetuese

Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa ka komentuar në një intervistë për emisionin “Kontrast” deklaratat e Presidentit Ilir Meta se anuloi zgjedhjet lokale të 2019 pasi iu përgjërua Lulzim Basha në Gjermani.

Zhupa tha se Meta nuk kishte pse të mbronte ç’dekretimin në Kushtetuese të zgjedhjeve nëse e kishte bërë se ia kishte kërkuar Basha.

Sipas saj Meta i sotëm nuk është dakord me Metën e djeshëm.

“Zoti Meta kur ka ç’dekretuar datën 30 qershor ka lexuar edhe më mbrapa katër faqe argumente juridike dhe konventa mbi të drejtën e zgjedhjes dhe moslejimin e zgjedhjeve fasadë, për arsyet pse ai po e bënte këtë. Dhe e ka mbrojtur edhe në Gjykatë Kushtetuese pse vendimi i tij ishte kushtetues. Dhe zoti Meta sot nuk është dakord me zotin Meta dje dhe thotë e bëra se më tha Lulzim Basha. Cilit t’i besojmë? Atij që sot i është ngacmuar nga egoja e tij?” –tha Zhupa.

Zhupa i bëri thirrje edhe Presidentit që të mos komentojë përplasjet që i përket PD-së, e ndërsa pranoi se lufta e brendshme brenda partisë po i konsumon demokratët.

Partia Demokratike po i bën opozitë Edi Ramës, por jo me të gjitha bateritë e saj. Sepse një pjesë të baterive tona opozitare ne po i çojmë në drejtim të një lufte të brendshme partiake. Nga ana tjetër Presidenti nuk ka pse komenton problemet e brendshme të Partisë Demokratike për aq kohë sa edhe ne nuk i kemi komentuar problemet në LSI. Foltorja po i jep kosto PD-së dhe po na harxhon energji të brendshme dhe po ngarkojmë energji negative. Por kjo nuk është një zgjedhje e zotit Basha. Pikërisht për ta zhbërë këtë, pavarësisht se ekzistonin apo jo firmat për Kuvendin Kombëtar, në zgjodhëm të mblidheshim në Kryesi. Dhe me qëllim për të dalë të bashkuar propozoi një Kuvend kombëtar ku delegatët mund të diskutojnë për problemet brenda PD” – tha deputetja e PD.